Partia Demokratike iu rikthye sërish sot denoncimit të dy ditëve më parë për kultivim të kanabisit vetëm 2 km larg aeroportit të Rinasit.
Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, dënoi heshtjen e kryeministrit Rama dhe ministrit Tahiri, ndërsa aludoi se parcelat me kanabis nuk preken sepse janë të Bushit.
“Policia ka bërë sikur ka ndërhyrë në një pjesë të parcelës, ndërkohë që pjesa më e madhe qëndron aty dhe po nxitohet të mblidhet”, akuzoi Alibeaj policinë.
Deklarata e plotë e Enkeleid Alibeajt:
Pas denoncimit dy ditë më parë nga kjo foltore, me prova, me foto e me video, për 50 mijë rrënjë drogë 2 kilometra larg Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, Edi Rama heshti.
Dhe Tahiri i tij, që së fundmi organizon ture festive nëpër ca parcela me kanabis, nuk u shfaq.
Pse?
Sepse këto 6 hektarë me drogë, 2 kilometra larg Rinasit, 20 kilometra larg zyrës së Edi Ramës, janë me leje. Janë të paprekshme. Janë të Bushit.
Të gjithë kanë dijeni, nga operativi i zonës, te polici që ka shtëpinë ngjitur, shefi i komisariatit, drejtori i policisë, Tahiri, Rama; por e fshehin, e ruajnë, dhe po bëhen gati ta vjelin e ta hedhin në treg.
Pas denoncimit tonë dy ditë më parë, policia ka bërë sikur ka ndërhyre në një pjesë të parcelës. Ndërkohë që pjesa më e madhe qëndron aty dhe po nxitohet të mblidhet, edhe në këtë moment që flasim.
Ky është sundimi i bandës së drogës në vend.
Biznesi kriminal që bëhet në zemër të vendit, me lejen e Edi Ramës i cili është në krye të skemës së 30 për qind të përfitimit.
Ka ardhur koha që shqiptarët të bashkohen, të ngrihen e të pastrojnë vendin nga droga, nga trafikantët, e nga kumbarët në qeveri.
Shqipëria meriton zhvillim e punë të ndershme, jo krime e drogë.
Shqipëria dhe shqiptarët më mirë pa Edi Ramën.





