Policia Kufitare e Durrësit ka gjetur trupin e 18-vjeçares I.H, e cila u mbyt në plazhin e Durrësit, në zonën e njohur si ‘Shkëmbi i Kavajës’.

Trupi i vajzës është gjetur pas disa orësh kërkime nga Policia Kufitare e Durrësit.

Sipas të dhënave policore, trupi i 18-vjeçares I.H është gjetur rreth orës 00.20 të së dielës, pranë vendit, ku deti nxorri trupin e kushërirës së saj 4-vjeçare E.B..

Kërkimet për gjetjen e trupit nga policia filluan që në orën 19:00, duke bërë kontrolle nga deti dhe nga ajri. DurrësLajm publikoi një natë më parë foto ekskluzive nga kërkimet intensive të policisë për gjetjen e trupit të adoleshentes. 

Zhdukja e dy kushërirave u denoncua në polici nga gjyshi i tyre.

Policia pas kërkimeve gjeti trupin e 4-vjeçare, ndërkohë që pati vështirësi për shkak të errësirës për të gjetur trupin e vajzës tjetër.

 

Njoftimi i Policisë së Durrësit

“Më datë 03.09.2016, rreth orës 19:10 shtetasi M.H. 56 vjeç ka njoftuar Stacionin e Policisë Plazh, pasi nuk po gjente mbesat e tij 4 dhe 18 vjeçare, të cilat ishin futur në det për tu larë.
Shtetasi i mësipërm kishte ardhur me pushime në Plazhin e Durrësit bashkë me familjarët e tij.
Menjëherë Policia e Durrësit ka nisur kërkimet dhe rreth orës 20:05, në vijën bregdetare, u gjet vajza e mitur me iniciale E.B. 4 vjeçe, e cila ishte mbytur. Vijojnë kërkimet për gjetjen e shtetases I.H. 18 vjeç.

Mësohet se dy vajzat bashkë me familjarët e tyre, nga Elbasani, i ishin drejtuar bregdetit në Durrës për të pushuar.

Ndërkaq, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes".