Një jetë në shërbim të mjekësisë shqiptare

Emër që Durrësi e mban me krenari
-Traditë familjare që vazhdon nga brezi në brez

Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Në mjekësi ekziston një çast i veçantë, i heshtur dhe i vështirë për t’u shpjeguar me fjalë. Është ai çast, kur pacienti shtrihet në sallën e operacionit dhe ia dorëzon jetën e vet duarve të mjekut. Në atë moment, titujt akademikë, librat, konferencat, artikujt shkencorë dhe vitet e karrierës marrin kuptim tjetër. Mbi gjithçka qëndron përgjegjësia njerëzore.

Mjeku nuk ka përballë një dosje. Ka përballë një njeri. Ka përballë frikën e tij, shpresën e tij, familjen që pret pas derës, sytë e një nëne, të një bashkëshorteje, të një fëmije, të një babai që kërkon vetëm një përgjigje: A do të jetë mirë? Në këtë hapësirë të vështirë të mjekësisë, ku shkenca duhet të ecë krah për krah me karakterin, qëndron një emër që prej vitesh ka ndërtuar një profil të veçantë në mjekësinë shqiptare, Prof. Dr. Rudin Domi.

Është profesor, shkencëtar, pedagog, specialist i anestezi-reanimacionit, studiues dhe profesionist me përvojë të gjatë klinike. Por përtej të gjithë këtyre përcaktimeve, është edhe diçka, që nuk shkruhet lehtë në një diplomë. Është mjeku që di të jetë pranë njeriut. Këtu fillon historia e tij më e bukur.

Profesionisti i spikatur, nuk matet vetëm me numrin e artikujve që ka botuar, me konferencat ku ka folur, me titujt që ka fituar apo me institucionet ku ka shërbyer. Madhështia e vërtetë e mjekut, duket kur del nga korniza e profesionit dhe bëhet pjesë e ankthit, shpresës dhe besimit të pacientit. Rudini e ka këtë cilësi.

Është njeri i gjindshëm, popullor, masovik. Ka një komunikim të drejtpërdrejtë me njerëzit. Nuk e vendos titullin përpara njeriut, e kundërta është në logjikë. Dhe kjo është një pasuri. Durrësi e njeh këtë djalë të vetin. E njeh jo vetëm si profesorin që punon në Tiranë, por si qytetarin që vazhdon të jetojë në qytetin ku lindi, ku u rrit dhe ku ka rrënjët më të thella familjare.

Rudini punon në Tiranë, në një prej strukturave të rëndësishme spitalore të vendit, por Durrësin nuk e ka ndarë kurrë nga vetja. Jeton në Durrës, së bashku me nënën Fatbardha Domi, një grua e fortë, e mençur dhe me jetë të lidhur ngushtë me arsimin dhe qytetin. Historia e Rudinit nuk mund të shkruhet pa Durrësin.
Dhe as historia e familjes Domi, nuk mund të shkruhet pa mjekësinë, arsimin, detarinë, qytetarinë dhe atë trashëgimi të bukur të familjeve, që kanë ditur t’u shërbejnë njerëzve.

Djali i dytë i një familje të njohur durrsake

Rudin Domi lindi në Durrës më 5 dhjetor 1973. Në dokumentin e lindjes, është një datë. Në kujtesën e qytetit, është tjetër shenjë, lindja e një fëmije që shumë vite më vonë do ta ngrinte emrin e Durrësit, në nivele të rëndësishme të mjekësisë shqiptare dhe përtej saj.

Babai Qemal Domi, i ndarë nga jeta në vitin 2020, ishte një profil e njohur e detarisë dhe e organizimit detar në Durrës. Me origjinë nga Shijaku, e ndërtoi jetën profesionale e qytetare, duke u bërë pjesë e historisë së zhvillimit të sektorit detar të qytetit.

Nëna, Fatbardha Domi, vjen nga fisi i njohur i Xhabijave të Shkodrës. Mësuese matematike, drejtuese e arsimit dhe e disa shkollave në Durrës, i përket asaj plejade grash, që nuk e shihnin arsimin thjeshtë si profesion, por si mision. Në një familje të tillë, fëmijët rriteshin mes dy botëve të fuqishme, disiplinës së detarit dhe kulturës së dijes.

Kjo nuk është formulë mekanike, për të shpjeguar suksesin e një njeriu. Por është terren i fortë, ku formohet karakteri. Rudini është djali i dytë i familjes. Dhe familja Domi, do të kishte të veçantën. Mjekësia do të bëhej nga fijet më të forta të vazhdimësisë së saj. Vëllai, Agron Domi, është kirurg në Spitalin e Durrësit. Pra dy vëllezër, dy degë të një profesioni të vështirë, të dy në shërbim të shëndetit të njerëzve.

Por historia nuk ndalet këtu. Vazhdimësia shkon edhe më tej. Fiona, vajza e Agronit, ka përfunduar studimet për mjekësi. Kështu mjekësia në familjen Domi, nuk është vetëm profesion. Është bërë një lloj trashëgimie e dijes dhe e shërbimit. Një brez ia dorëzon tjetrit stafetën. Dhe kjo stafetë nuk është e lehtë. Sepse të jesh mjek, do të thotë të pranosh përgjegjësi, që nuk mbaron me orarin e punës.

Rruga nga universiteti i mjekësisë deri tek profesori

Rruga profesionale e Rudin Domit, nuk është ndërtuar me hapa të shpejta, por me punë të vazhdueshme. Në vitin 1998, diplomohet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës. Një vit më pas, nis tjetër etapë vendimtare, specializimin katërvjeçar, nga 1999 deri në 2003, në specialitetin e anestezi-reanimacionit.

Anestezia është nga ato fusha të mjekësisë, që publiku shpesh e sheh vetëm në momentin, kur pacienti hyn në sallën e operacionit. Por pas asaj perdeje të bardhë, fshihet botë e tërë dijesh, përgjegjësish, monitorimi dhe vendim marrjeje.

Anestezisti është aty, kur pacienti nuk mund të flasë. Është aty, kur trupi i nënshtrohet një ndërhyrjeje të madhe. Është aty, për të ruajtur ekuilibrat jetikë. Është aty, kur sekondat mund të kenë peshë.

Prandaj anestezi-reanimacioni, kërkon jo vetëm njohuri të thella, por qetësi, saktësi, përqendrim dhe ndjenjë të jashtëzakonshme përgjegjësie. Pas përfundimit të specializimit, Rudin Domi nis punën në Shërbimin e Anestezi-Reanimacionit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për nevojat e së cilës ishte specializuar.

Por nuk u mjaftua me atë që kishte marrë. Në vitet 2003–2004, kreu studime të thelluara pasuniversitare, pranë Katedrës së Farmakologjisë në Fakultetin e Mjekësisë dhe fitoi titullin “Master”. Në vitin 2010, fitoi titullin “Doktor i Shkencave Mjekësore”. Në vitin 2014, erdhi titulli “Profesor i Asociuar” në Anestezi-Reanimacion. Dhe në vitin 2019, kulmi akademik, titulli Profesor.

Nëse këto vite, do t’i shikonim vetëm si një varg datash, do të humbnim orjentimin e shkrimit. Pas çdo date, ka orë të panumërta studimi. Ka netë të gjata. Ka pacientë.Ka raste të vështira. Ka libra. Ka konferenca. Ka kërkime. Ka dështime që të mësojnë. Ka suksese që të dëtyrojnë të vazhdosh. Prandaj titulli profesor, nuk është dekor në biografinë e Rudin Domit. Është përfundimi, i një rruge të gjatë profesionale dhe shkencore.

Doktori që nuk e ka harruar pacientin

Është e lehtë të shkruash për një profesor dhe doktor, duke numëruar titujt. Më e vështirë është të tregosh, se çfarë njeriu fshihet pas tyre. Rudin Domi, ka marrëdhënie të veçantë me pacientët dhe familjarët e tyre. Kjo është nga ato vlera, që nuk çertifikohen nga asnjë komision akademik.

Njeriu i sëmurë ka nevojë për mjekun, por ka nevojë edhe për një zë që t’i japë siguri. Ka nevojë për dikë, që ta shohë në sy. Ka nevojë për një shpjegim, që ta kuptojë. Ka nevojë të mos ndihet i vetëm. Këtu spikat Rudini. Është i gjindshëm. Është komunikues. Është popullor. Është masovik.

Këto fjalë, në dukje të zakonshme, kanë rëndësi të madhe kur flitet për mjekun. Një njeri, mund të jetë shumë i ditur dhe të mbetet i largët. Mund të jetë shumë i talentuar dhe të mos dijë të komunikojë. Mund të jetë profesor dhe të mos ketë atë ngrohtësinë, që kërkon një pacient.

Rudini duket se i ka bashkuar të dyja, diturinë me afërsinë njerëzore. Kjo është arsyeja, pse emri i tij ka krijuar besim. Dhe besimi në mjekësi, është ilaç më vete.

Shkenca që ka dalë përtej kufijve

Pas portretit njerëzor, vjen dimensioni shkencor. Dhe këtu Prof. Dr. Rudin Domi, ka shumë për të thënë. Është autor dhe bashkautor i 35 artikujve shkencorë dhe i 128 prezantimeve në revista dhe konferenca brenda dhe jashtë vendit. Ka botuar katër libra në Shqipëri dhe një libër jashtë vendit. Është anëtar i bordeve editoriale të disa revistave shkencore. Këto të dhëna tregojnë profesionistin, që nuk është mbyllur brenda sallës së operacionit. Domi ka hyrë edhe në botën e kërkimit, të debatit shkencor dhe të komunikimit ndërkombëtar.

Është anëtar i Shoqatës Europiane të Anestezisë, i Shoqatës Shqiptare të Anestezisë, i Shoqatës Shqiptare të Anestezistëve Kardiotorakalë, ndërsa është edhe President i Shoqatës Shqiptare të Kujdesit Intensiv. Në vitin 2017, u zgjodh Council Member i Shoqatës Europiane të Anestezisë.

Ky është vlerësim, që nuk i përket vetëm individit. Në kuptim më të gjerë, është edhe dritare për mjekësinë shqiptare. Sa herë një profesionist shqiptar, merr përgjegjësi në një strukturë europiane, vendos mbi vete edhe emrin e vendit të tij. Rudini e ka bërë këtë. Dhe Durrësi, ka arsye të ndihet krenar.

Specialist në zemër të mjekësisë më të vështirë

Ekspertiza klinike e Prof. Dr. Rudin Domit është e gjerë. Përfshin anestezinë e transplantit, terapinë intensive, anestezinë në kirurgjinë e gjendrës mbiveshkore, kirurgjinë madhore onkologjike urologjike, proteksionin perioperator të organeve, anestezinë e pacientëve kardiakë për kirurgji jokardiake dhe terapinë intensive në kardiokirurgji.

Janë fusha, ku mjeku duhet të jetë i përgatitur deri në detaje. Aty nuk ka vend për improvizim. Aty çdo vendim, duhet të mbështetet në dije, përvojë dhe aftësi. Dhe këtu shfaqet tjetër cilësi e Rudinit, përgatitja profesionale. Nuk është vetëm mjek që punon. Është mjek që studion. Mjek që hulumton. Mjek që jep mësim. Mjek që trajnon të tjerë. Kjo e bën figurën e tij më të plotë.

Profesionist i vërtetë nuk ruan dijen për vete, e transmeton. Që nga viti 2003, Rudin Domi është pedagog i jashtëm në Fakultetin e Mjekësisë. Fillimisht, në periudhën 2003–2010, pranë Katedrës së Anatomisë Normale. Pas vitit 2010, kalon pranë Katedrës së Anestezi-Reanimacionit. Dhe nga viti 2020 e në vazhdim, është pedagog me kohë të plotë në lëndën e Anestezi-Reanimacionit në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Mjekësor të Tiranës.

Këtu është ndihmesa më e rëndësishme i një profesori. Të lësh pas vetes, njerëz që dinë. Të formosh mjekë. Të përgatitësh specialistë. T’u mësosh atyre jo vetëm teorinë, por edhe përgjegjësinë. Ndihmesa i Rudin Domit, në përgatitjen teorike dhe praktike të mjekëve specializantë të Shërbimit të Anestezi-Reanimacionit, është pjesë e rëndësishme e veprimtarisë.

Prof. Dr. Rudin Domi shërben në Spitalin Amerikan 3 në Tiranë, në Departamentin e Anestezi-Reanimacionit. Profili i tij është i një profesionisti të përgatitur, me përvojë dhe me bagazh të gjerë klinik e akademik. Por ka një detaj, që e bën edhe më interesant këtë histori.

Rudini nuk është njeriu, që e ka parë karierën si arsye për t’u larguar nga qyteti i vet. Tirana është vendi ku punon. Durrësi është vendi ku jeton. Dhe mes tyre, ka ndërtuar ekuilibër, që e mban të fortë lidhjen me vendlindjen.

Ka njerëz që largohen nga qyteti i tyre dhe pas një kohe, e kujtojnë vetëm në fotografi. Ka të tjerë si Rudin Domi, që e mbajnë vendlindjen si pikë të përhershme orientimi. Durrësi nuk është për të, vetëm vendlindje e shkruar në dokument. Është pjesë e identitetit. Është kujtesë. Është familje. Është rrugë. Është det. Është njerëz. Është qyteti, ku jeton ende me nënën e tij, Fatbardhën.

Familja e Rudinit tjetër histori suksesi

Pas shumë burrave të suksesshëm, qëndron shpesh një grua që ka ditur të ndërtojë themelet. Në rastin e Rudin Domit, ajo grua është Fatbardha Domi. Ajo është nga ato gra që kanë lënë gjurmë jo vetëm te fëmijët e tyre, por edhe te breza nxënësish. Në familjen Domi, edukimi dhe profesioni nuk kanë qenë të ndarë.

Babai Qemal, me detarinë dhe organizimin. Nëna Fatbardha, me arsimin. Dhe fëmijët, me rrugët e tyre profesionale. Në këtë familje, ka pasur një kulturë të fortë të punës. Një kulturë, ku njeriu duhej të bënte diçka për të tjerët. Mbase këtu duhet kërkuar edhe një pjesë e përgjigjes, se përse Rudini është bërë ky që është.

Nëse Rudini është futur në botën e anestezi-reanimacionit, vëllai i tij Agroni ka zgjedhur kirurgjinë. Dy vëllezër. Dy specialitete. Një familje. Një mision. Në Spitalin e Durrësit, Agroni shërben si kirurg. Dhe kështu, historia e familjes Domi merr edhe një ngjyrim tjetër. Bëhet histori e mjekësisë familjare.

Kjo histori nuk mbyllet te dy vëllezërit. Vazhdon edhe tek brezi tjetër. Fiona, vajza e Agronit, ka përfunduar mjekësinë. Kështu krijohet vijimësi, që rrallëherë është rastësi e pastër. Ajo lidhet me kulturën familjare, me shembullin e prindërve, me respektin për dijen dhe me dëshirën për të shërbyer. Mjekësia ka hyrë në familjen Domi si profesion, por është rrënjosur si vlerë.

Pas profesorit është edhe bashkëshorti. Pas mjekut është edhe babai. Pas figurës publike është familjari. Bashkëshortja e Rudinit, Laureta Kasolli, është bankiere kariere. Prej 22 vitesh është angazhuar në sektorin bankar, ndërsa është edhe lektore në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Kjo është familje, ku profesioni nuk është parë si privilegj, por si përgjegjësi. Rudini dhe Laureta po rrisin tre fëmijë. Rueli, djali i madh, pas përfundimit me rezultate të shkëlqyera të programit IB në United Ëorld College në Hollandë, ka mbaruar studimet në Minesota të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me rezultate ekselente.

Laerti dhe Ema vazhdojnë rrugën e shkollimit. Këtu del tjetër bukuri e kësaj familjeje, krahasimi i brezave. Rudini është rritur në një familje, ku arsimi mbante peshë. Tani është profesor dhe doktor. Bashkëshortja është lektore. Fëmijët janë duke ndërtuar rrugët e tyre. Është vazhdimësi. Është trashëgimi. Është familje që ecën.

Durrësi që mburret me djalin e tij

Durrësi ka marrëdhënie të veçantë me bijtë e vet. Qytetet e mëdha, kanë shumë njerëz të suksesshëm. Por në qytete si Durrësi, ku komuniteti ka ruajtur ndjenjë të fortë njohjeje dhe afërsie, suksesi i një biri bëhet sukses i të gjithëve.

Kështu ndodh edhe me Rudin Domin. Durrsakët kanë arsye të mburren me të. Është biri i tyre. I lindur këtu. I rritur këtu. I lidhur me këtë qytet. Edhe kur punon në Tiranë. Edhe kur merr pjesë në kongrese ndërkombëtare. Edhe kur botohet jashtë vendit. Edhe kur zgjidhet në struktura europiane të profesionit.

Vazhdon të kthehet në Durrës. Në qytetin e vet. Në shtëpinë e vet. Tek nëna e vet. Tek kujtimet e veta. Është një nga gjërat më të bukura, që mund të bëjë një njeri i suksesshëm, të mos harrojë nga ka ardhur.

Në historinë e Rudin Domit, është një vijë gjeografike interesante. Babai Qemali, e ka origjinën nga Shijaku. Rudini ndërkaq, lindi në Durrës. Në trungun familjar takohen dy hapësira të rëndësishme të kësaj zone, Shijaku dhe Durrësi.

Qyteti bregdetar është ai që e rriti. Durrësi i fëmijërisë. Durrësi i rinisë. Durrësi i familjes. Durrësi i sotëm. Deti në këtë qytet, ka mënyrë të çuditshme për të hyrë në karakterin e njerëzve. Edhe Rudini ka marrë diçka prej tij. Qetësinë në pamje. Por edhe forcën poshtë sipërfaqes. Sepse deti, nuk është gjithmonë i qetë. Dhe as jeta e mjekut nuk është e tillë. Ka ditë të qeta. Ka ditë të trazuara. Ka dallgë. Ka stuhi. Por njeriu duhet të dijë të qëndrojë.

Në portretin e Prof. Dr. Rudin Domit, mjekësia është boshti. Por qytetaria është dimensioni që e plotëson. Është nga ata njerëz, që nuk e shohin suksesin personal si mur që i ndan nga të tjerët. Përkundrazi. Sa më lart ka shkuar profesionalisht, aq më shumë është dukur nevoja për të komunikuar me njerëzit.

Kjo shpjegon edhe marrëdhënien me pacientët dhe familjarët. Njerëzit nuk duan vetëm një mjek të aftë. Duhet edhe një mjek që t’i dëgjojë. Dhe Rudini ka ditur ta bëjë këtë. Në një kohë, kur mjekësia po bëhet gjithnjë e më teknologjike, kjo vlerë bëhet edhe më e rëndësishme.

Makineria mund të monitorojë. Teknologjia mund të ndihmojë. Laboratori mund të japë të dhëna. Por vetëm njeriu, mund t’i japë një njeriu tjetër, ndjenjën e sigurisë që lind nga fjala e mirë. Kjo është arsyeja, pse profili i Rudinit nuk mund të kufizohet në termin “specialist”. Është edhe humanist i profesionit të vet.

Emër që nuk i përket vetëm një njeriu

Në fund të një shkrimi të tillë, tundimi është të renditësh edhe një herë titujt. Profesor. Doktor i Shkencave. Master. Pedagog. Studiues. Autor. Anëtar i shoqatave profesionale. Council Member i një strukture europiane. Specialist i anestezi-reanimacionit. Profesionist në fusha të ndërlikuara të mjekësisë.

Por Rudin Domi, është më shumë se kaq. Ai është histori i një djali durrsak, që u nis nga qyteti i vet dhe arriti në nivele të rëndësishme të mjekësisë shqiptare dhe europiane, pa e këputur fillin me vendin prej nga erdhi.

Është historia e një familjeje ku detaria, arsimi, mjekësia dhe qytetaria, janë ndërthurur në mënyrë të veçantë. Është historia e një nëne, Fatbardha, që vazhdon të jetë shtyllë e shtëpisë. Është historia e babait, Qemalit, detarit dhe kuadrit të njohur të detarisë durrsake. Është historia e Agronit, kirurgut. Është historia e Fionës, brezit të ri që vazhdon rrugën e mjekësisë.

Është historia e Lauretës, bankieres dhe lektore. Është historia e fëmijëve që po ndërtojnë rrugët e tyre në Shqipëri dhe jashtë saj. Por mbi të gjitha, është historia e një mjeku, që nuk ka harruar se përpara se të jesh profesor, duhet të jesh njeri.

Kjo është diploma më e rëndësishme. Pacienti mund të mos mbajë mend gjithmonë emrin e ilaçit. Mund të mos kuptojë terminologjinë mjekësore. Mund të mos dijë, se sa artikuj ka botuar mjeku. Por ai do të mbajë mend fytyrën e atij, që i foli me mirësi në çastin kur kishte frikë. Do të mbajë mend, dorën që e qetësoi. Do të mbajë mend, fjalën që i dha shpresë. Do të mbajë mend, mjekun që nuk e pa si numër dosjeje, por si njeri.

Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e Prof. Dr. Rudin Domit. Dija e ka çuar lart. Shkenca i ka dhënë autoritet. Puna i ka dhënë titujt. Por humanizmi i ka dhënë dashurinë e njerëzve. Durrësi mund të krenohet me të. Mjekësia shqiptare mund të krenohet me të. Universiteti mund të krenohet me të. Familja mund të krenohet me të.

Më bukur se të gjitha këto, një ditë do të jenë krenarë edhe ata mjekë të rinj që kanë mësuar prej tij. Sepse profesori i vërtetë, nuk mbaron me orën e fundit të leksionit. Vazhdon të jetojë te nxënësit. Mjeku i vërtetë, nuk mbaron me një ndërhyrje. Vazhdon të jetojë në jetët që ka ndihmuar.

Njeriu i mirë, nuk mbaron asnjëherë. Mbetet në kujtesën e njerëzve. Rudin Domi është një prej tyre. Dhe Durrësi, qyteti që e pa të lindte më 5 dhjetor 1973, ka të drejtë ta thotë me zë të lartë:

“Ky është një nga bijtë tanë që na nderon.”

Bujar Qesja
Durrës: 2 shtator 2026