Efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Ardian Kodra, i cili humbi jetën dje gjatë një aksioni për kapjen e një personi me probleme mendore, është shpallur sot Dëshmor i Atdheut.

Propozimi është bërë nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Mësohet gjithashtu se Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do t’i dorëzojë familjarëve të tij dekoratën e “Shqiponjës së Artë”.

Efektivi nga Shkodra, i cili për 20 vite ishte pjesë e FNSH-së humbi jetën dje pas një shkëmbimi zjarri mes agresorit David Qosja, (njeri me probleme mendore) dhe policisë. Kodra, ishte i martuar dhe babai i dy fëmijëve. Operacioni për kapjen e David Qosjes që vazhdonte të qëllonte me armë drejt forcave të rendit vijuan për gati 5 orë. Ai është arrestuar rreth orës 18:30 të mesditës së djeshme.

Trupi i pajetë i Kodrës do të varroset në Varrezat e Dëshmorëve në qytetin e Shkodrës. Homazhet në nder të efektivit të vrarë do të mbahen nga ora 17:00 deri në 19:00 pranë Repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të efektivit të vrarë.