Grupi kriminal që u godit sot nga policia në Spanjë, që në përbërje të vet kishte më së shumti shqiptarë, por edhe bullgarë, trafikonte kokainën nga Turqia dhe vendet e tjera të Ballkanit, duke e pasur rrezen e veprimit në Barcelonë dhe në Tarragona të shtetit spanjoll. Laboratori ku përpunohej droga është gjetur në një banesë në Gava (Barcelonë) dhe në të janë sekuestruar 38 kg heroinë e pastër, si dhe 8 kg kokainë e pastër.

Gazeta “El Mundo” shkruan se grupi në fjalë kishte një organizim të mirëfilltë dhe hierarki në grup. Aty punët bëheshin duke u menduar dhe me një disiplinë të rreptë ushtarake.

Po ashtu, anëtarët e grupit përdornin një sistem të sofistikuar të komunikimit. Ndërkohë një media tjetër spanjolle jep detaje të operacionit që nisi në dhjetor të 2015-s, me shkatërrimin e një rrjeti të trafikut të drogës dhe armëve në provincat Pontevedra dhe Portugali. Në atë kohë, disa persona janë ndaluar në Galicia, si dhe u sekuestrua një sasi heroine prej 27 kg, kokainë si dhe 8 armë që kishin destinacion shitjen dhe vinin nga shteti portugez. Rezultatet e hetimit në fjalë çuan në arrestime të një grupi personash, me banim në Katalonia.

Sa i takon grupit kriminal shqiptaro-bullgar, në pranga kanë rënë disa shtetas shqiptarë dhe një bullgar. Personi që drejtonte të gjithë bandën dyshohet se është shqiptar dhe ai u arrestua në një shtëpi luksoze në Kasteldefels. Tre shtetasit shqiptarë të arrestuar janë A.Q., 47 vjeç, A.D., 41 vjeç, dhe E.Sh., 27 vjeç. Në operacionin policor u arrestua edhe një bullgar, si dhe një person me iniciale P.D.