Antenat e celularëve mbi pallate janë një dukuri mjaft e përhapur në kryeqytet. Përhapja e tyre vitet e fundit ka qenë e madhe, pavarësisht kundërshtive që banorët shprehin për vendosjen e tyre mbi tarraca, pasi qytetarët i kanë të qarta pasojat që sjellin ato. Gjithsesi, pavarësisht kundërshtive të banorëve antenat e kompanive celulare vendosen nga pronarët që kanë ndërtuar godinën, pa marrë parasysh mendimet e qytetarëve që jetojnë aty. Pasojat e vendosjes së antenave bien mbi qytetarët, të cilët rrezikohen nga sëmundje nga më të ndryshmet.

Specialistë të fushës thonë se  nëse nuk zbatohen rregullat teknike, që përcaktojnë duke filluar nga distanca e antenave e deri te fuqia e tyre, atëherë sigurisht që ato janë shkaktare të sëmundjeve të ndryshme duke shkuar deri tek çrregullimet mendore.

“Efektet e tyre lidhen me zbatimin e parametrave të largësisë nga njerëzit. Ka rregulla të përcaktuara për këtë. Në rast mos zbatimi mund të sjellin pasoja në shëndet deri pasi ndikojnë në sistemin nervor”, thotë Bejo Doka. Pasojat mbi shëndetin e qytetarëve nga këto antena janë të mëdha duke shkuar madje deri në shkaktimin e sëmundjeve kancerogjene. Specialistët insistojnë për kontrolle të veprimtarive të antenave në mënyrë që të mos kalohet norma e vendosur, 10W për metër katror, pasi në të kundërt pasojat do të ishin të pashmangshme. Sipas specialistëve, krahas çrregullimeve mendore, ato shkaktojnë edhe rreze radioaktive që shkatërrojnë oksigjenin dhe shkaktojnë humbje të elektroliteve.

“Natyrisht nëse vendosen në një distancë shumë të afërt me njeriun kanë pasoja mbi shëndet, pasi dihet që ato shkaktojnë rreze radioaktive, që janë të dëmshme. Mund të shkaktojnë lodhje, këputje, përgjumësi dhe ndikojnë sistemin nervor. Në rastet kur respektohen distancat e përcaktuara, atëherë nuk ka janë burim problemesh”, thotë një tjetër specialist Fatos Ylli. 

Ndërkohë për të njëjtën problematikë pak ditë më parë reagoi edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, i cili u kërkoi autoriteteve përkatëse të monitoronin aktivitetin e këtyre antenave, pasi sipas raportit të hartuar po nga Avokati i Popullit, ato po bëheshin objekt i shumë shqetësimeve dhe komplikacioneve në shëndetin e popullsisë.

Përhapja e gjerë në kryeqytet

Të gjithë jemi dëshmitarë të faktit që në një pjesë të mirë të pallateve në kryeqytet, mbi tarracat e tyre janë të vendosura antena të kompanive celulare. Shtimi i kompanive dhe operatorëve celularë ka sjellë edhe rritjen e antenave, të cilat përgjithësisht vendosen pa lejen dhe miratimin e banorëve që jetojnë në këto pallate. Madje, këto antena i shohim të vendosura edhe në tarracat e spitaleve në QSUT, por edhe institucione të tjera. Në total, në Tiranë janë mbi 250 antena të instaluara, shifër e konfirmuar dje nga Kostandin Dollani, për gazetën, ndërsa në të gjithë vendin numri i antenave të kompanive celulare është afër 900. Rritja ka qene e madhe dhe e kuptueshme në kryeqytet, ku dihet se numri i popullsisë është rritur ndjeshëm vitet e fundit, por edhe numri i kompanive celulare ka pësuar gjithashtu rritje. Kjo temë është ngritur vazhdimisht si shqetësim në media, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim të institucioneve përkatëse në lidhje me këtë problematikë dhe nuk është marrë asnjë masë. 

Gazeta “SOT”