*Arrestohet autori i dyshuar, shpallet në kërkim bashkëpunëtori

*Sekuestrohet automjeti me të cilin do të kryhej krimi, sende dhe mjete të ndryshme që do ndihmonin në kamuflimin e autorëve dhe krimit

Policia e Durrësit ka bërë të mundur parandalimin e një vrasjeje, duke arrestuar një 29-vjeçar i cili kishte kryer të gjitha veprimet përgatitore për vrasjen e një personi.

Pas një pune hetimore intensive dhe të pandërprerë, Specialistët për Krimet kanë bërë të mundur parandalimin e kryerjes së një vrasjeje, duke ndaluar autorin e dyshuar, shtetasin Alfred Skonja, 29 vjeç, banues në Durrës, i cili është person me precedentë penalë të mëparshëm.

Ndalimi i tij u bë pasi nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se Skonja, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, për të cilin po punohet për kapjen e tij, kishin ndërmarrë të gjitha masat e duhura dhe kishin kryer të gjitha veprimet përgatitore për vrasjen e një shtetasi’

Ndalimi i tij u bë si rezultat i një pune operative të mirorganizuar, ku Skonja ka qenë nën vëzhgim të vazhdueshëm gjatë kësaj periudhe nga Policia, me qëllim për të dokumentuar veprimet e tij të jashtëligjshme”, njofton policia e Durrësit.

Sipas të dhënave zyrtare, mësohet se 29-vjeçari kishte planifikuar që pas kryerjes së krimit do ta digjte me benzinë automjetin që kishte vjedhur, të cilit i kishte vendosur targat e një tjetër makine, po ashtu të vjedhur.

Më 26 korrik, Skonja, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në Fushë-Krujë kanë vjedhur automjetin tip Volsvagen me targa AA 029 MM, në pronësi të shtetasit R.B. 22 vjeç, banues në fshatin Zheje, Kurbin. Ndërsa targat i përkasin mjetit tip Peugeot në pronësi të shtetases R.B. 37 vjeçe, banuese në Durrës, të vjedhura më datë 18 korrik.

Automjeti i vjedhur është gjetur më datë 24.08.2016, rreth mesditës, pranë lumit Erzen.

U gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale:

• automjeti tip Volsvagen me targa AA 029 MM 

• sende dhe mjete të ndryshme (veshje, kapele, kokore, lëndë djegëse benzinë), që do ndihmonin në kamuflimin e autorëve gjatë kryerjes së aktit kriminal dhe krimit (shih videon më poshtë).

Policia nuk jep detaje të mëtejshme rreth kësaj ngjarjeje të rëndë, për arsye të hetimeve që vijojnë ende.

S.L.