Klodiana Spahiu është emëruar ministre e Shëndetësisë, duke marrë drejtimin e dikasterit pas dorëheqjes së Evis Salës.

Spahiu ka qenë deputete e Partisë Socialiste në Durrës dhe ka mbajtur edhe postin e nënkryetares së Kuvendit.

Emërimi i saj vjen pas dorëheqjes së Evis Salës nga posti i ministres një ditë më parë.

Klodiana Spahiu ka lindur më 22 maj 1973 në Durrës. Ajo ka përfunduar studimet për Mjekësi të Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1997. Një vit më vonë nisi specializimin në Kardiologji pranë QSUT “Nënë Tereza”, të cilin e përfundoi në vitin 2002.

Gjatë karrierës së saj mjekësore, Spahiu është specializuar në disa fusha të kardiologjisë, përfshirë ekokardiografinë, PU-EKG dhe Eko-Dopplerin e karotideve, pranë Universitetit Katolik “Sacro Cuore”, Fakulteti i Mjekësisë “Agostino Gemelli”, në Romë.

Në vitet 2003-2004 ka ndjekur studimet pasuniversitare pranë Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, ndërsa në vitin 2005 është specializuar në Kardiologjinë Invazive, përfshirë kateterizimin dhe koronarografinë e zemrës, në Spitalin “Santa Chiara” në Pisa të Italisë.

Në vitet 2012-2014 ka përfunduar masterin profesional në Menaxhim Shëndetësor.

Karriera e Spahiut është zhvilluar edhe në sistemin publik shëndetësor. Ajo ka punuar si mjeke në Klinikën e Parë të Kardiologjisë në QSUT, ndërsa gjatë viteve 2003-2009 ka ushtruar profesionin e kardiologes në Spitalin e Durrësit, ku më pas është emëruar edhe drejtore.