Numri 1 i policisë në Filipine ka deklaruar se mbi 1.900 persona janë vrarë gjatë operacioneve masive kundër drogës në 7 javët e fundit.

Ronald dela Rosa ka folur në një seancë të mbajtur në Senat, lidhur me numrin e lartë të vdekjeve të verifikuar që nga zgjedhja e Rodrigo Duterte president. 

Shefi i policisë tha se, në operacionet e policisë janë vrarë rreth 750 persona, ndërsa nënvizoi se vdekjet e tjera po hetohen. 

Duerte, i cili ka marrë pseudonimin “Ndëshkuesi” fitoi zgjedhjet presidenciale me premtimin e tij për një dorë të hekurt ndaj trafikantëve të drogës. 

Më herët ai u bëri thirrje qytetarëve që të qëllojnë dhe të vrasin trafikantët që i bëjnë rezistencë arrestimit dhe theksoi se vrasjet e tyre ishin të ligjshme nëse policia do të vepronte për vetëmbrojtje. 

Presidenti i kompleksit të ishujve aziatikë kërcënoi gjithashtu me shkëputje nga OKB-ja, pasi organizata e cilësoi luftën e tij kundër drogës një krim në kuadër të ligjit ndërkombëtar. 

Edhe Shtetet e Bashkuara janë shprehur “thellësisht të shqetësuara” nga rritja e vrasjeve të lidhura me drogën. 

Një hetim në emër të Senatit po kryhet nën drejtimin e senatores Leila de Lima, e cila u ka bërë thirrje autoriteteve filipinase që të shpjegojnë rritjen “e paprecedentë” të numrit të vdekjeve.