Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pasmbylljes së disa profileve në rrjete sociale të disa individëve që kanë publikuar aktivitetet e protestës që vijon prej tre muajsh kundër qeverisë së Edi Ramës.
Në një reagim, Bardhi e krahason kryeministrin Rama dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, duke shtuar se ai kërkon që tqë mbulojë dështimet e tij si kryeministër duke tentuar që të heshtë shoqërinë shqiptare.
“Ky është algoritmi i censurës së një Kryeministri që kërkon ta mbulojë dështimin e vet me heshtjen e shoqërisë. T’u mbyllë gojën kundërshtarëve dhe të zhdukë çdo zë kritik nga hapësira publike.”, shkruan ai.
Më pas ai shton se Rama nuk do të mund ta ndryshojë dot mendimin e qytetarëve se i ka bërë keq vendit dhe se duhet të largohet.
REAGIMI I PLOTE:
Edi Rama si Vuçiçi, algoritmi i censurës kundër opozitës!
Ajo që ndodhi në Serbinë e Vuçiçit gjatë protestave masive të studentëve kundër qeverisë, po shfaqet sot edhe në Shqipërinë e Edi Ramës.
Sot në Shqipëri janë nën sulm dhe janë bllokuar shumë llogari në Instagram të qytetarëve që po mbështesin aktivisht protestën mbi 3 mujore kundër qeverisë.
Ky është algoritmi i censurës së një Kryeministri që kërkon ta mbulojë dështimin e vet me heshtjen e shoqërisë. T’u mbyllë gojën kundërshtarëve dhe të zhdukë çdo zë kritik nga hapësira publike.
Me metodat e Vuçiçit, Edi Rama nuk e ndryshon dot bindjen e shqiptarëve se ai është Kryeministri që i ka bërë më shumë keq vendit në gati katër dekada dhe se duhet të largohet.
Solidaritet me çdo qytetar që është goditur për shkak të zërit të tij kritik. Nuk ka algoritëm censure që shpëton një qeveri nga e vërteta.





