“Nga shpenzimet e mëdha derivojnë përgjegjësi të mëdha”. E përkthyer shkurtimisht do të ishte… Juventus. Sot në pasditen e vonë, Seria A ngre siparin, me Roma-Udineze në orën 18:00, e cila do të paraprijë debutimin e kampionëve të Italisë në fuqi, përballë Fiorentinës, në “Juventus Stadium”.

Në Torino janë gati për festë, madje, po mendojnë që tani për të bërë diçka speciale për fundin e këtij kampionati, sepse duke parë emrat që kanë afruar sivjet në merkato, në letër, skuadra e Masimiliano Alegrit e ka fituar titullin kampion ende pa zbritur në fushë.

Shumë miliona euro të investuara për emra si Gonzalo Higuain, Miralem Pjaniç, Daniel Alvesh, Mehdi Benatia e Marko Pjaca, të cilët duket se mjaftojnë për të mbuluar të larguarit Pol Pogba, Alvaro Morata dhe Huan Kuadrado, ndonëse ky i fundit ka shanse që edhe të rikthehet.

Dhe në pritje për të parë çfarë risish do të sjellin ditët e mbetura të merkatos, Juventusi është gati që të nisë betejën për të mbrojtur fronin e tij për të gjashtin vit me radhë, ndonëse e ritheksojmë, në letër, as Roma, as Napoli dhe as Interi nuk duket se mund ta pengojnë, aq më shumë Milani, i cili edhe pse ka blerë disa lojtarë interesantë, nuk duket se ka forca të pretendojë për vendin e parë.

Seria A sivjet do të jetë më interesante edhe për shqiptarët, sepse kolonia jonë në kampionatin italian është zgjeruar jo pak (një rekord). Ndërsa Napoli do të mbështetet edhe tek Elseid Hysaj (titullar i padiskutueshëm dhe një ndër pikat e forta të ekipit) për të tentuar të fitojë kundër Juventusit, të tjerët do të kërkojnë të fitojnë të drejtën e fanellës së titullarit.

Pasi e nisëm me Hysajn, te Lacio janë dy portierë që qëndrojnë shumë pranë në pankinë mes njëritjetrit, por me shpresën se me punë, ora e tyre për të qenë titullarë do të vijë. Po flasim për Etrit Berishën, gardianin titullar të Kombëtares sonë dhe Thoma Strakoshën, titullarin e Kombëtares Shpresa. Kalendari i javës së parë do t’i detyrojë ata në një derbi, duke qenë se përballë do të kenë Atalantën, në radhët e të cilës luan Berat Gjimshiti. Mbrojtësi i bergamaskëve do të luftojë që sivjet të ketë më shumë hapësirë, por për ndeshjen e nesërme pritet të jetë në stol.

Një prej shqiptarëve që ka shpresa të mëdha për t’u shndërruar në një titullar të padiskutueshëm është Arlind Ajeti. Qendërmbrojtësi bindi klubin e Torinos që ta afronte në skuadër, pas një Europiani fantastik prej 22-vjeçarit. Ajeti do të debutojë kundër Milanit, por ai është në balotazh me shokun e skuadrës, Rosetini, për të luajtur nga minuta e parë ose jo.

Ndërkohë, ata që duken të paprekshëm dhe do të kenë shumë hapësirë për të treguar vlerat e tyre do të jenë Ledian Memushaj, mesfushori dhe kapiteni i Peskarës, plus sulmuesi Rei Manaj, i cili ka zbarkuar në radhët e “delfinëve” për të qenë shtylla e sulmit, ajo që do të tentojë të mbyllë hapësirën e lënë bosh nga bomberi Xhanluka Lapadula, i transferuar tashmë te Milani. Dhe në fund, Frederik Veseli, lojtari i afruar në skuadër nga Empoli. Mbrojtësi nuk është grumbulluar për ndeshjen e parë, ndonëse ndaj tij nuk dihet asgjë më shumë se kaq, prandaj situata e Veselit mbetet për t’u kuptuar. /Panorama Sport