Ngjashmëria me një gangster irlandez i ka kushtuar jetën një 33 vjeçari nga Irlanda, që ndodhej në Majorka të Spanjës, për të kaluar pushimet së bashku me gruan dhe fëmijët.

Sipas policisë, babai i tre fëmijëve është vrarë para bashkëshortes dhe vogëlushëve të tij me 4 plumba pistolete.

Mediet spanjolle shkruajnë se Trevor O’Neill është viktimë e luftës mes dy klaneve të krimit të organizuar në Irlandë, Kinahan dhe Hutch.

Përveç policisë, faktin që viktima nuk kishte asnjë lidhje me krimin e organizuar, por u vra gabimisht ,e theksojnë edhe familjarët e tij për të përditshme The Sun.

“Ju lutem nënvizojeni këtë fakt. U përfshimë në një tragjedi familjare, por nuk mund ta durojmë nëse do të na lidhnin me ata njerëz” thonë familjarët e O’Neill.

Vrasja e tij ka prishur qetësinë e pushuesve në Majorka, të cilët janë llahtarisur nga krismat e armëve në mes të ditës.

Sipas tyre, bashkëshortja e viktimës kishte në karrocë fëmijën më të vogël, ndërkohë që u bëri thirrje dy të tjerëve të shkonin të fshiheshin.

“Ambulanca deshi 25 minuta të mbërrinte. Kur ajo mbërriti i plagosuri po jepte shpirt. I bënë një masazh kardiak, por tashmë për të nuk mudn të bëhej më asgjë” thanë dëshmitarët.