Prej datës 12 gusht në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” qëndron e hapur ekspozita “Copëza prej një realeje të tjetërsuar”. Studentët e talentuar Enes Alimadhi, Jonida Gjinaj, Aurora Kalemi dhe Mirjana Mesaj, që sapo kanë përfunduar Akademinë e Arteve, kanë sjellë për publikun një stil të veçantë e tërësisht origjinal. Disa prej pikturave janë disi abstrakte, semi- abstrakte, por rreken tek realja, synojnë të pasqyrojnë copëza nga jeta e përditshme e secilit prej nesh.p
Piktorët shprehen se ekspozita është pritur mirë dhe se tek artëdashësit ajo ka ngjallur interes. Por ka patur edhe nga ata qytetarë të thjeshtë që teksa kanë kaluar pranë galerisë, ngjyrat i kanë rrëmbyer vëmendjen dhe janë ndalur para tablove.
“Pikturat e tyre nuk kanë një subjekt të fiksuar dhe as nuk rrahin të fiksojnë një subjekt, pasi nëse do të ishte kështu do t’i drejtoheshin vetëm një kategorie të caktuar nga publiku, pikërisht atyre që do u interesonte subjekti. Si të tilla atai drejtohen çdokujt”- shkruan Edison Çeraj, kuratori i ekspozitës, duke dhënë edhe vlerësimin e tij për këto vepra arti.
Edhe pse fillimish u tha se ekspozita “Copëza prej një realeje të tjetërsuar” do të qëndronte e hapur deri më 31 gusht, ajo do të mbyllet sot, për t’i lënë vendin një tjetër ekspozite, që mesa duket doli në skenë në mënyrë të paparashikuar.
R.O.





