Dërgohet në gjyq me akuzën e “shkatërrimit të pronës” 23-vjeçarja Desara Mancellari, e akuzuar se i dogji disa automjete në parkim ish-të dashurit. “Panorama” shkruan se në fund të korrikut, para nisjes së sezonit të pushimit për Prokurorinë, organi i akuzës ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës dosjen penale ndaj 23-vjeçares.
Ajo akuzohet se ka shkatërruar automjetet në pronësi të familjes së babai të Filip Papajanit, 21 vjeç, nga Tirana. Ky i fundit ka pasur një lidhje intime me vajzën Desara Mancellari, e cila e ka kryer zjarrvënien ndaj automjeteve në parkim, në shenjë hakmarrjeje për kontradiktat që ka pasur me partnerin e saj, Filip Papajani.
Ngjarja ka ndodhur më datë 1 prill 2016, në orët e para të mëngjesit (rreth një orë pas mesnatës) në rrugën “Kokonozi”, ku ka rënë zjarr dhe në flakë janë përfshirë katër mjete. Sipas hetimit, nga zjarrvënia ku janë gjetur mbetje benzine, janë djegur automjetet tip “Audi”, “Volkswagen”, “Rulotë” dhe një kamionçinë, automjete në pronësi të shtetasit V. P., 56 vjeç, banues në Tiranë.
E akuzuara për këtë ngjarje fillimisht u arrestua dhe më pas u la e lirë nga gjykata. Në dosje thuhet se vajza 23 vjeçare është pyetur për ngjarjen dhe ka shpjeguar marrëdhëniet e saj me shtetasin Filip Papajani dhe familjen e tij, si dhe faktin se ata kanë qenë të lidhur, por më pas janë ndarë me njëri-tjetrin.
“Gjithashtu ajo shpjegon se pas ndarjes ka qenë nën presionin e shtetasit V.P. e F.P. për ta vazhduar lidhjen dhe për këtë edhe janë takuar e kanë ndenjur në një lokal, ajo me këta të dy dhe kushërira e saj, lokal në të cilin kanë qëndruar deri në orën 7 të mëngjesit. Gjatë qëndrimit në lokal, ajo ka deklaruar se ka qenë nën presionin e tyre për t’u lidhur përsëri me Filip Papajanin. Pas kësaj, ajo ka menduar që të frikësojë familjen e F.P., që ata t’i qëndronin asaj larg dhe për këtë arsye ka menduar të djegë makinën e F.P. Për këtë qëllim ka blerë benzinë në një pikë karburanti, lëndë të cilën e ka hedhur në një shishe dhe më pas ka shkuar pranë banesës së F.P. ku pasi, ka spërkatur me benzinë makinën tip “Audi”, i ka vënë asaj flakën me një shkrepëse.
Pas kësaj, ka shkuar në banesën e saj dhe rrobat që kishte veshur i ka vënë në lavatriçe për t’i larë, ndërsa atletet në vendin e tyre në korridorin e banesës”, thekson Prokuroria.





