Klubi i Teutës ende nuk e ka mbyllur merkaton, pasi drejtuesit vazhdojnë të jenë në bisedime me sulmuesin belg Napol, me të cilin ende nuk e kanë mbyllur marrëveshjen.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar presidenti i durrsakëve, Edmond Hasanbelliu.“Ashtu siç e kemi thënë edhe më parë, jemi në pritje të një sulmuesi. Jemi duke biseduar me lojtarin belg Napol, por për momentin nuk i kemi mbyllur ende tratativat. Në rast se negociatat nuk do të përfundojnë me sukses, atëherë do të shohim për një tjetër sulmues”, ka thënë Hasanbelliu. Ky i fundit ka bërë me dije se nuk preferon në skuadër një sulmues shqiptar, por do të shohë vetëm tregun e huaj.“Dua t’u bëj me dije se po kërkojmë për një lojtar të huaj dhe nuk kemi interes dhe nuk po bisedojmë me ndonjë sulmues shqiptar. Do të tentojmë të mbyllim me Napol e më pas do të shikojmë për lëvizje të tjera”, ka mbyllur Hasanbelliu prononcimin e tij.

Sa i takon belgut Napol, i cili është vetëm 20 vjeç, drejtuesit janë disi të lëkundur duke parë moshën e tij të re dhe faktin që duhet të mbajë peshën e sulmit. Megjithatë, krahas tij në skuadër mund të vijë edhe një tjetër sulmues potent, por për momentin nuk ka ndonjë alternativë. Gjithashtu drejtuesit pritet të afrojnë edhe një mbrojtës nëse jepet ndonjë alternativë e mirë. Edhe për këtë repart, klubi do të vëzhgojë alternativa jashtë vendit, pasi në Superligë mungojnë futbollistët cilësorë. Sa i takon skuadrës, ajo po vazhdon përgatitjet nën drejtimin e trajnerit Begeja.