Pas akuzave të bëra ditën e sotme nga Partia Demokratike për emërimin e Nard Nelit si shef i seksionit të trafiqeve në Policinë e Korçës, ka reaguar Policia e Shtetit.

Kjo e fundit ka theksuar se nuk mund të përjashtojë policin pa një vendim të formës së prerë. Sipas saj, Nard Neli është emëruar në detyrën Shef në Sektorin Kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Vendore Korçë, datë 05.12.2012, dhe në muajin Prill të vitit 2013 është emëruar Shef Seksioni Kundër Trafiqeve po në këtë sektor. Policia e Korçës me të marrë dijeni ndaj këtij oficeri, Prokuroria kishte nisur procedim penal dhe ka bërë menjëherë pezullimin e tij nga detyra.

Ndërkohë Drejtoria e Policisë së Shtetit i ka kërkuar me shkresë disa herë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë që të sjellin vendimin e dënimit dhe deri sot nuk është marrë asnjë përgjigje.

 

Deklarata e plotë e Policisë së Shtetit:

Lidhur me deklaratën e bërë  nga Partia Demokratike se në Policinë e Korçës është emëruar një oficer i dënuar, sqarojmë se: Komisar Nardi Neli është emëruar në detyrën Shef Sektori në Sektorin Kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Vendore Korçë, datë 05.12.2012 dhe në muajin Prill të vitit 2013 është emëruar Shef Seksioni Kundër Trafiqeve po në këtë Sektor.

Policia e Korçës me të marrë dijeni se ndaj këtij oficeri, Prokuroria kishte nisur procedim penal ka bërë menjëherë pezullimin e tij nga detyra.

Ndërkohë Drejtoria e Policisë së Shtetit i ka kërkuar me shkresë disa herë Prokurorisë pranë  Gjykatës  së  Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë   që të sjellin vendimin e dënimit  dhe deri sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Më poshtë keni  informacionin e plotë  për Komisar Nardi Neli.

Komisar Nardi Neli është emëruar në detyrën shef Sektori në Sektorin kundër trafiqeve dhe narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Vendore Korçë, me urdhër nr. 115/1 datë 05.12.2012. Me urdhër nr. 990 datë 29.03.2013, është emruar Shef seksioni ai dhe specialist  në Seksionin kundër trafiqeve të paligjshme në Drejtorinë e Policisë Vendore Korçë.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me shkresën nr. 124 datë 14.07.2015 i ka kërkuar komisariatit të Policisë Korçë ndejkjen e procedurës së kërkimit ndaj disa shtetasve: “Për trafik të paligjshëm të lëndëve narkotike”, ndërsa për punonjësin e policisë Nardi Neli për veprën penale “Zbulimi i akteve apo të dhënave sekrete”.

Mbi bazën e kësaj shkrese të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, Drejtoria e Policisë së Shtetit me aktin  administrative nr. 682 datë 16.07.2015 ka filluar ecurinë disiplinore ndaj punonjësit të policisë Nardi Neli.

Më datë 30.07.2015, Drejtoria e Policisë së Shtetit, me shkresën nr. 1008/1, i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë informacion mbi ecurinë e procedimit penal në ngarkim të punonjësit të policisë Nardi Neli.

Me shkresën nr. 1857/1 datë 28.09.2015, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, i kthen përgjigje Policisë së Shtetit se aktet e këtij procedimi penal janë dërguar për gjykim në Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

Më datë 07.10.2015, me shkresën nr. 1008/6, Drejtoria e Policisë së Shtetit i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, informacion më të detajuar mbi mënyrën e përfundimit të procedimit penal në ngarkim të punonjësit të policisë Nardi Neli.

Më datë 20.10.2015, me shkresën nr. 1008/7, Drejtoria e Standarteve Profesionale pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit ka bërë pezullimin e hetimit disiplinor në ngarkim të punonjësit të policisë Nardi Neli, bazuar në nenin 225, pika a të Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me Vendim të KM nr. 750  datë 16.09.2015.

Theksojmë se deri tani nuk është kthyer asnjë përgjigje nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë mbi përfundimin e procedimit penal në ngarkim të punonjësit të policisë Nardi Neli.

Në këto kushte, bazuar në kërkesat e nenit 4 dhe 462 e vijues të Kodit të Procedurës Penale si dhe të nenit 225, pika a të Rregullores së Policisë së Shtetit,  Policia e Shtetit nuk mund të procedojë për përjashtimin nga polica të punonjësit të policisë Nardi Neli, pa një vendim gjyqësor të formës së prerë dhe lëshimin e urdhërit të ekzekutimit nga ana e organit të Prokurorisë.

 

Deklarata e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkeleid Alibeaj

Një kryeministër dhe një qeveri që kërkon të luftojë drogën dhe trafiqet, cakton në pozicionet kyce të kësaj beteje, njerëz me integritet, profesionistë të paimplikuar, pa precedentë.

Shihni cfarë bën Edi Rama.

Ka caktuar në Policinë e Korcë si shef të seksionit të trafiqeve, një person të dënuar pak muaj më parë nga gjykata e krimeve të rënda, saktësisht me 13 prill të këtij viti, pikërisht për bashkëpunim me trafikantët e drogës.

Nardi Neli, është dënuar nga gjykata e shkallës së parë të krimeve të rënda, dhe kjo gjykatë ka kërkuar që ky oficer të mos ushtrojë veprimtari publike për 3 vite.

Pse?

Sepse vepra që ka kryer lidhet pikërisht me detyrën e tij, pasi akuzohet se ka zbuluar akte dhe të dhëna sekrete. Ua ka dhënë informacionet sekrete trafikantëve të drogës. Ka tradhëtuar punën e oficerëve të ndershëm.

Ja ku kemi këtu vendimin e gjykatës.

Ky person, me Edi Ramën bëhet shefi i trafiqeve të Korcës.

Në pika kyce që lidhen me drogën dhe transportin e saj, gjeden sot shumë persona me lidhje nepotike e lidhje të forta politike me Tahirin dhe Edi Ramën.

Ata janë bërë ura e kalimit të drogës, dhe janë një prej hallkave kryesore në këtë biznes gjigand kriminal, ku Edi Rama qëndron në krye të skemës 30 përqind për cdo rrënjë. Fakte të konfirmuara tashmë edhe nga shërbimet sekrete italiane dhe gjermane.

Ky është realiteti sot. Shqipëria e mbuluar me drogë, një biznes kriminal që po asfikson ekonominë e ndershme dhe po sjell plagë e vrasje të përditshme. Shqipëria sot sundohet nga bandat e drogës së Edi Ramës, në bashkëpunim me drejtuesit kryesorë të policisë.

Po kjo nuk është zgjedhja as dëshira e shqiptarëve.

Shqiptarët do ta heqin nga qafa këtë lak të drogës dhe krimit.

Shqipëria do jetë më mirë pa Edi Ramën.​