Pak orë pas publikimit të lajmit se Milot Rashica do të luajë për Kosovën edhe Alban Meha ka bërë të ditur zgjedhjen e tij për të luajtur për përfaqësuesen e shtetit më të ri të Europës. 30- vjeçari nga Mitrovica ka dhënë një mesazh që vështirë se mund të ngatërrohet apo keqkuptohet në profilin e tij në facebook ku ka postuar një pikturë të tijën ndërsa mban veshur fanellën blu të Kosovës me numrin 17, imazhe që flasin këto sa shumë fjalë, për më tepër me mbishkrimin Kosova dhe shenjën e zemrës. Nuk ka vend për interpretimete tjera, pasi mesazhi është i qartë, Alban Meha do të luajë për Kosovën duke nisur nga eleminatoret e Botërorit Rusi duke konfirmuar në këtë mënyrë zërat që qarkullonin prej disa muajsh. Ndryshe nga vendimi i Rashicës që ishte në një farë mënyre befasues, ai i Alban Mehës ishte i pritshëm, duke qenë se mesfushori e kishte lënë të kuptohej diçka të tillë në rrethin e tij të ngushtë shoqëror pasi nuk ishte grumbulluar disa herë rradhazi nga De Biasi me Kombëtaren Shqiptare. Trajneri i përfaqësueses së Kosovës Albert Bunjaki ndërkohë i kishte hapur publikisht derën gjatë një interviste për Supersport para fillimit të Europianit të kësaj vere ku bëri të ditur se Meha kishte qenë prej kohësh në planet e tij. Meha bëri debutimin me Kombëtaren shqiptare në 7 shtator të 2012 përballë Qipros dhe numëron 7 prezenca me fanellën kuqezi me të cilën ka shënuar dy gola, në dy takime miqësore ndaj Lituanisë dhe ndaj Maltës. Tani për 30- vjeçarin përvijohet një mision i ri në rang përfaqësuesesh, ai për të ndihmuar Kosovën në pjesëmarrjen e saj të parë historike në kualifikueset e një eventi madhor të futbollit.