Dita e sotme ka qenë ndër më të këqijat për Kombëtaren kuqezi. Pas pjesëmarrjes në Euro 2016 dhe në vigjilje të eliminatoreve të Botërorit, tre lojtarë të spikatur kanë lënë fanellën kuqezi për t’iu bashkuar asaj të Kosovës.

Kështu, Milot Rashica, sulmuesi anësor mjaft premtues ka bërë publik sot lajmin se ai zgjedh përfundimisht Kosovën.

Rashica, u la jashtë listës së De Biazit për Euro 2016, duke ngjallur pakënaqësi, jo vetëm te një pjesë e publikut, por ndoshta edhe te vetë lojtari.

Megjithatë, ky i fundit tha se vendimi për të zgjedhur Kosovën nuk është një vendim kundër Shqipërisë.

“Është një vendim për Kosovën sepse aty kam lindur dhe aty jam rritur”, ka thënë Rashica sot.

Pas tij, ikin edhe dy mesfushorë të tjerë, Herolind Shala dhe Alban Meha. Për të parin lajmin e ka bërë të ditur vetë tekniku kuqezi, Xhani De Biazi, duke mos dhënë arsye.

Por nisur nga minutazhi, Shala e gjen më të lehtë të aktivizohet te Kosova sesa te Shqipëria. Gjithashtu, qarkullojnë zëra edhe për Alban Mehën, i cili ka patur përplasje me FSHF-në dhe vetë trajnerin De Biazi.