Klubi i Shkëndisë së Tetovës, ka dalë me një qëndrim zyrtar rreth ngjarjeve të turpshme që ndodhën në ndeshjen e javës së dytë të kampionatit maqedonas kundër Vardarit, e cila u fitua nga kjo e fundit me rezultatin 3-0. Tifozët e skuadrës së qytetit të Shkupit, gjatë gjithë ndeshjes lëshuan kore raciste me baza nacionaliste, një sjellje e shëmtuar që prishi ndeshjen.
Sot, klubi tetovar ka bërë të qartë se vazhdimësia e një situate të tillë do të detyronte klubet shqiptare që të rishikonin pozicionin e tyre brenda kampionatit maqedonas, e pse jo, edhe të refuzonin të vazhdonin të garonin në një klimë të tillë armiqësore. Duke mos e nxjerrë këtë situatë si justifikim për humbjen, Shkëndija saktësoi se i gjithë materiali do t’i dërgohej UEFA-s për shqyrtim.Komunikata e plotë-Klubi i Futbollit Shkëndija shpreh indinjatë të thellë dhe ankesë të hapur në adresë të Federatës së futbollit të Maqedonisë që përmes delegatit të dërguar në derbin e xhiros së dytë të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë, Vasko Kantarxhiev nga Strumica lejuan vazhdimin dhe zhvillimin e ndeshjes edhe përkundër faktit se nga tribunat nuk kishin të ndalura skandimet racore dhe thirrjet për gjenocid kundër shqiptarëve. Situatën e rëndon fakti që gjithë kjo u zhvillua para syve të Komisarit për Gara pranë FFM-së, i cili gjithashtu nuk pa të rrugës që të paktën për një moment të ndërpritej ndeshje dhe të kërkohet ndërprerja e koreve ofenduese.Përveç dy-tre thirrjeve për anim korrekt nga spikeri zyrtar i ndeshjes, delegati nuk ndërmori asgjë për të ndërprerë koret nacionaliste. Ne si klub ndjehemi direkt të prekur nga kjo situatë dhe kërkojmë urgjentisht nga FFM që të shqyrtojë këtë situatë dhe tjerat të ngjashme duke sanksionuar ekipin vendas për organizim të dobët të ndeshjes dhe mos sigurim të kushteve minimale për loje fer dhe korrekte konform standardeve të UEFA-së dhe FIFA-s.Nëse Federata e futbollit të Maqedonisë nuk ndërmerr tani masa të rënda ndëshkuese, në mënyrë direkte do të jetë motivuese e vazhdimit të shfaqjeve të tilla, për fat të keq jo vetëm nga rrugaçë dhe huliganë që përkrahin ekipin nikoqir në ndeshjen e të dielës, por edhe të publikut më gjerë që dje nuk dallonin nga huliganët.Ofendimet dhe skandimet në baza nacionale dhe komplet materiali dëshmues për sjelljen fashiste jo vetëm të huliganëve-rrugaçëve të ashtuquajtur ‘Komitë’, por edhe pjesës tjetër të publikut që me asgjë nuk dallonte nga soji i tyre, do t’u dorëzohet strukturave të UEFA-së si dëshmi për mossigurim të kushteve minimale për zhvillimin normal të një ndeshje futbolli!Në të njëjtën kohë, klubet shqiptare do të detyrohen të rishikojnë statusin e tyre garues, nëse Federata e futbollit të Maqedonisë edhe më tej lejon dhe stimulon standard të dyfishta në këtë kampionat garues. Të dielën dikush shfaqi gjithë arsenalin ofendues në drejtim të shqiptarëve dhe FFM me mosangazhimin për ndërprerjen e koreve raciste, në mënyrë direkte provokon mllef dhe gatishmëri për revanshizëm, për të cilën më vonë vetë ne si klub detyrohemi të paguajmë gjoba të majme.Ky reagim nuk ka aspak për qëllim arsyetimin e lojës së dobët nga skuadra jonë (që u publikua si raport menjëherë pas përfundimit të ndeshjes), por gjithsesi se këto sjellje raciste dhe shoviniste ndikojnë edhe në demotivimin e futbollistëve.





