Milko Olavi Tokola, peshëngritësi nga Finlanda, ka qenë një prej personazheve të ditës në Rio 2016. Ndonëse ai nuk arriti të fitonte medalje në garën deri në 85 kilogram, ai është kthyer në një nga yjet e internetit. Shkak është bërë ajo që ndodhi gjatë garës së finlandezit në Baterinë B. Peshëngritësi realizoi me sukses një nga provat e tij, duke ngritur 175 kilogramë. Ai festoi i entuziazmuar këtë sukses, por duke dalë nga pedana, u rrëzua menjëherë në tokë pasi humbi ndjenjat. U desh ndihma e trajnerëve të tij që finlandezi të çohej përsëri në këmbë dhe të shkonte në sallën e sportistëve. “Nuk më kishte ndodhur asnjëherë më përpara”, u shfajësua ai. Doktorët shpjeguan se e gjithë sforcoja që kishte vendosur mbi trupin e tij për të ngritur një peshë të tillë, kishte shkaktuar këtë gjendje, pasi kur lëshoi në tokë shtangën, i kishte rënë tensioni i gjakut dhe si rrjedhojë edhe kishte humbur ndjenjat.





