Para pak minutave ka filluar heqja e barrikadës dhe lirimi i urës kryesore të Ibërit në Mitrovicë. Ky hap hidhet pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh, saktësisht që nga përfundimi i luftës së Kosovës.

Sot kanë filluar punimet për heqjen e barrikadës dhe rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Heqja e barrikadës është bërë e ditur nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri e cila tha se plani për rivitalizimin e urës, i përcaktuar me Marrëveshjen e Brukselit për këtë çështje i datës 25 gusht 2015, do të jetësohet me përpikëri dhe ura e Ibrit do të mundësojë lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve dhe automjeteve ashtu siç ka qenë gjithnjë.

“Rivitalizimi i urës, investim ky në vlerë mbi 1.2 milion euro dhe i financuar nga Bashkimi Evropian, do të kontribuojë në mënyrë të konsiderueshme në lehtësimin e kontakteve ndërmjet njerëzve nga Mitrovica e Veriut, Mitrovica e Jugut dhe më tej. Me fillimin e implementimit të kësaj marrëveshjeje, Ura e Mitrovicës do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Ura e Mitrovicës pritet të hapet për këmbësorë dhe për automjete në të dyja drejtimet sipas rekomandimeve nga vlerësimi teknik dhe dizajni arkitekturor për të cilin kanë rënë dakord të dyja palët në qershor 2015.

Bashkë me të dy kryetarët e komunave, një grup punues do të monitorojë dhe shqyrtojë rregullisht kushtet mbizotëruese politike dhe të sigurisë në ato komuna gjatë dhe pas procesit të rivitalizimit.

“Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, në pajtueshmëri me mandatet e tyre përkatëse, do të sigurojnë mjedis të qetë dhe të sigurt”, përfundon njoftimi.

Ndërkohë është zyra e BE-së në Kosovë e cila është e autorizuar për zbatimin e marrëveshjes.

Punimet po realizohen nga “Sintek-K-ing” , një kompani e kontraktuar nga ana e Bashkimit Evropian.