Trashëgimia kulturore është një tjetër fushë, ku politikat e Ministrisë së Kulturës tregojnë dështimin e këtij institucioni. Përballë mjerimit që ka mbuluar trashëgiminë tonë kulturore, dëmtimet në monumentet e kulturës, etj, qëndron Ministria e Kulturës, e cila nuk ka mundur dot të prezantojë atë që duhet jo vetëm në mbrojtje, investime në restaurime, por dhe në promovim. Një ministri, e cila vazhdon të merret më shumë se çfarë gjeti në këtë fushë se sa në vend të tregojë ato rezultate që ka arritur në punën e saj. Keqardhje kur shikon që nga dita në ditë kemi dëmtime të monumenteve të kulturës, ku zëri i specialistëve prej kohësh ka rënë në vesh të shurdhër. Ministria dhe institucionet që ajo ka në varësi janë shumë larg asaj që kërkon sot trashëgimia. Kur këto dëmtime ndodhin në mes të Tiranës, të gjithë e kuptojnë se në çfarë gjendje do të jenë monumentet, që janë në zona të tjera të vendit. Prej kohësh specialistë të njohur pohojnë se në ministri mungojnë specialistët e duhur për të marrë vendime me projekte në këtë fushë, por dhe kjo vijon të mos jetë në vëmendje, ndërsa dëmtimet me projekte të restaurimit herë pas here denoncohen jo vetëm nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, por dhe nga qytetarë të thjeshtë. E në këtë situatë kaotike, ku ndodhet sot ajo që në të gjithë botën ruhet, mbrohet, promovohet në trashëgimi, në vendin tonë ndodh e kundërta. Në faqen e saj zyrtare, ministria në programin që ka të prezantuar mbi trashëgiminë kulturore për 2013-2017, që në fillim thuhet se trashëgimia kulturore ka nevojë për një vizion afatgjatë zhvillimi që do të shprehet në: “përgatitjen e një strategjie kombëtare, duke përfshirë të gjithë aktorët e fushës”.
Por duke parë se dëmtimet vijojnë në monumentet e kulturës, se projektet e restaurimit po dëmtojnë, se pasuria kombëtare vazhdon të shkatërrohet, çfarë ka bërë ministria për këtë strategji kombëtare? Edhe ato pak promovime që bëhen nga ministria në këtë fushë e prezantojnë këtë institucion të paaftë për të ndryshuar sadopak gjenden problematike në të cilën është zhytur trashëgimia kulturore, që nga dita në ditë po humbet jo pak vlera të saj. Buxhetet e pakta të investuara në këtë fushë e shtojnë dhe më shumë gjendjen kaotike në monumentet e kulturës, ku siç kanë pohuar dhe më herët specialistë të njohur: “buxhetet që ndan ministria janë shumë të pakta me atë që kërkojnë monumentet për konservim dhe restaurime”. Më shumë fjalë se sa masa konkrete për të parandaluar dëmtimet dhe shkatërrimet, që po ndodhin ku edhe për specialistë të njohur ajo që sot ka vëmendje nga ministria është se: “flitet shumë dhe nuk ka një përmirësim në restaurime dhe vërtetë evidentimit të monumenteve të kulturës. Ka më tepër retorikë”. Një ministri që po tregon paaftësinë e saj në këtë situatë, ndërsa reagimet e specialistëve vijojnë të mos dëgjohen për qendrat historike, kalatë, muzetë, objektet e kultit që vazhdojnë të tregojnë dëmtime, ndërsa në vendin tonë edhe ato pak projekte që ndërmerren në konservim dhe restaurim nuk bëhen nga specialistë. Arkeologjia vazhdon të mos jetë me projekte premtuese, ndërkaq që dhe gërmime klandestine, sipas specialistëve nuk mungojnë dhe institucionet janë të dobëta për ta parandaluar.
Denoncime nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë
Për Forumin për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore situata ka degraduar dhe janë bërë restaurime skandaloze. Përmes faqes se tij në Facebook, Forumi denoncon herë pas here raste që tregojnë skandalet që ndodhin në monumentet e kulturës. “Triumfi i Dështimit të hareshëm”, shkruan në një status të Forumit mbi restaurimin që u bë së fundmi në Kullën e Sahatit, restaurim që u pohua se nuk ishte në nivelin profesional. Një objekt tjetër i lënë në mëshirë të fatit dhe u publikua nga Forumi në janar të këtij viti ishte dhe Kisha e Dervenit në Krujë. “Kisha mesjetare e Shën Gjon Pagëzorit, zbuluar në fshatin Derven të rrethit të Krujës (dioqeza e Arbërit) në këtë moment është krejtësisht e mbuluar nga uji!!!” denonconte në janar Forumi, duke e shoqëruar dhe me foto që tregon harresën për këtë objekt. Raste të tjera të denoncuara vijojnë me restaurimet e gabuara në Varrin e Kolë Idromenos, hamami i Krujës, restaurimi i mureve të sinagogës së Sarandës,rrënimi i mjaft banesave në Gjirokastër, rënia e murit të Kalasë së Beratit, prishja e muzeut arkeologjik të Amantias, mbrojtja e Kanioneve të Nivicës, për të vijuar dhe me të tjera denoncime mbi shkatërrimin dhe dëmtimin e vlerave të trashëgimisë kulturore. Përmendim këtu mbrojtjen e shatërvanit të qendrës së Durrësit (që nuk u arrit të shpëtohet), denoncimi i vazhdueshëm i braktisjes së Piramidës, etj, janë disa prej publikimeve që janë të shoqëruara dhe me foto nga Forumi, e ku duket se Ministria e Kulturës bashkë me Institutin e Monumenteve të Kulturës nuk kanë pasur vëmendje. “Një lutje Institutit të Monumenteve: “lutemi mos restauroni më”, por nëse nuk ja dilni të përmbani tundimin e injorancës, lutemi të mos i nxirrni në faqet zyrtare, e për më tepër, mos i konsideroni si arritje!”, një status i bërë nga Forumi mbi restaurimet e gabuara. Jo pak informacioni në Forum shkojnë nga banorët e zonave, ku realisht komuniteteve u vjen keq për humbjen e vlerave të zonës së tyre dhe ndjehen jashtë vëmendjes së shtetit.
Pllaka me mbishkrimin osman në kala
Pllaka me mbishkrimin osman, e vendosur në hyrje të Kalasë së Lezhës ishte një tjetër moment që solli reagime të forta kundër Ministrisë së Kulturës. Pllaka u vendos në atë vend, por ishte një vendim, i cili e përballi ministrinë me reagime jo vetëm të specialistëve që e kundërshtuan, por dhe të qytetarëve të shumtë. Ishte mbishkrimi i pllakës që nxiti reagimet, duke kërkuar dhe heqjen e saj. Në muajin shtator të 2015, vetëm një ditë pas ceremonisë pllaka u dëmtua. Me mbishkrimin në osmanisht, si kujtesë rikonstruksionin e këtij objekti historik nga Sulltan Sulejmani në vitin 1522, në Lezhë u kërkua dhe heqja e pllakës nga hyrja e Kalasë. Por ministria vlerësoi vetëm se dëmtimi i pllakës ishte një akt vandal, duke mos marrë në konsideratë çfarë kërkuan historianë dhe specialistë, sipas të cilëve ministrja e Kulturës nuk e njeh sa duhet historinë.
Shkatërrimi i vlerave historike dhe arkitekturore
Gjirokastra dhe Berati të shpallura si pasuri botërore janë dy qendra historike që tregojnë qartë se puna që është bërë nga Ministria e Kulturës kur flasim për restaurimet e banesave lë për të dëshiruar. Gjendja e tyre problematike është pohuar dhe nga akademiku Emin Riza, hartues i dosjeve për në UNESCO, por buxhetet e pakat dhe mungesa e profesionistëve në restaurime ka dëmtuar jo pak. “Dëmtime të mëdha. Shkak mosndalimi i këtyre ndërhyrjeve, dhe ulja e shkallës së ndërhyrjeve mirëmbajtëse dhe restauruese”, pohonin dhe specialistë të tjerë mbi banesat e vjetra në Gjirokastrës. Sipas tyre, parimet e UNESCO-s janë të njohura ndërkombëtarisht, por sa zbatohen në Shqipëri? Pas ’90 për monumentet ne jemi mes një shkatërrimi të vërtetë, ishin reagimet e specialistëve të trashëgimisë. Nëse Berati duket se ka më pak probleme, kjo nuk mund të thuhet për Gjirokastrën. Janë të rrezikuara jo pak banesa të vjetra, për të cilat nuk dihet se kur do të mund të vijë ndërhyrja restauruese me buxhete që jep ministria. Ndërkaq që sot ministria krenohet me punën që mund të jetë bërë në ndonjë banesë, por për Gjirokastrën duket se mungojnë projektet për të parandaluar shkatërrimin e vlerave historike dhe arkitekturore.
Muzetë në mjerim, pa sistem ajrimi
Ligjet në trashëgiminë kulturore nuk mund ta ndalin kalbjen e objekteve në muze nëse nuk është në vëmendje teknologjia e trashëgimisë. Këto janë fjalët e specialistëve, sipas të cilëve muzetë sot në vend lënë për të dëshiruar. Kur kemi sot një Muze Historik Kombëtar që nuk ka sistem ajrimi, mungojnë investimet e duhura, etj, gjendja dhe në muzetë e tjerë duket se prej vitesh nuk ka pasur vëmendje. Por sa ka bërë Ministria e Kulturës për investimet e munguara në muze, për specialistët pothuajse asgjë. Vazhdojnë me të njëjtën infrastrukturë, mungesë specialistësh që duhet në muze, duke mos pasur as rinovim me objekte. Ndërsa pohohet dhe gjendja e mjeruar që kanë muzetë lokalë nën varësi të bashkive, ministria nuk është kujtuar as për MHK që ndodhet në qendër të Tiranës. Aq më tepër që në fasadën e tij ndodhet dhe mozaiku “Shqipëria”, i cili nga dita në ditë vetëm rrënohet. Pas tre vitesh ministria krenohet vetëm me “Marubin”, muzeun në Korçë, por për objektet që po shkatërrohen nga mungesa e kushteve në muze të tjerë asgjë nuk bëhet. Ndërkaq që prej 7 vitesh mungon dhe laboratori i restaurimit.
Projektligji i trashëgimisë
Projektligji për trashëgiminë kulturore vijon të jetë një punë e papërfunduar nga Ministria e Kulturës. Edhe pse vetë ministrja Kumbaro e ka cilësuar herë pas here, deri më tani nuk e kemi të përfunduar. Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s në muajin korrik të një viti më parë i kërkoi qeverisë shqiptare të miratojë dhe zbatojë sa më parë projektligjin për trashëgiminë kulturore, por rimet me të cilat ka punuar Ministria e Kulturës lënë për të dëshiruar. Legjislacioni përkatës për trashëgiminë kulturore dhe udhëzimi i ministres së Kulturës vazhdojnë të kenë mangësi, por dhe në projektligjin e ri specialistë të njohur të fushës së trashëgimisë pohojnë se ministria vazhdon të mos i marrë në konsideratë mendimet e tyre. Mbi rijetëzimin e monumenteve, ku legjislacioni përkatës për trashëgimi dhe udhëzimi i ministres vazhdojnë të kenë mangësi, është një tjetër kërkesë drejtuar ministrisë për diskutim me grupet e interesit të projektligjit të trashëgimisë. Nuk dihet se çfarë përmban projektligji i ri për të cilin ministria ka kohë që po punon, por ajo që dihet specialistët pak janë marrë në konsideratë.
/Sot news /





