Gazetarja Keida Kostreci në një lidhje live nga SHBA për emisionin “Balkan Talks” me Franko Egron në Euronews Albania ka folur lidhur me luftën në Iran. Gjatë fjalës së saj Kostreci u shpreh se situata është e ndërlikuar.

Sipas saj amerikanët shpresojnë që të përfundojë kjo luftë teksa shtoi se nga ana diplomatike, presidenti amerikan, Donald Trump nuk kërkon të dorëzohet.

“Gjendja paraqitet më e vështirë sesa e mendoi ndoshta presidenti Donald Trump, Shtëpia e Bardhë kur ndërmorën këto hapa. Është një situatë tepër e ndërlikuar. Unë do të thoja që ushtria amerikane mbetet ushtria më e fuqishme në botë, por çështja është se Shtëpia e Bardhë dhe Shtetet e Bashkuara nuk duan ta përdorin këtë fuqi maksimale sepse mund të kthehej në diçka katastrofike, në një konflikt shumë të zgjatur që askush nuk e dëshiron.

Një pikë tjetër është se Irani në këtë rast është më i motivuar për t’i bërë qëndresë Shteteve të Bashkuara sesa ç’janë Shtetet e Bashkuara për të vazhduar luftën në Iran. Dhe kjo jep një farë epërsie në argumenta, në atë marrëveshje që vazhdon të mos arrihet sepse pikërisht për ato çështje që janë tepër të vështira mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe një gjë e tillë zgjat për vite dhe dekada.

Irani ka thënë që Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur një propozim tjetër. Po për sa kohë ky propozim ka të bëjë me eliminimin e programit bërthamor me pranimin nga ana e Iranit që të mos pasurojë uranium duket e vështirë që Irani të bjerë dakort me këto kushtet të paktën nga ato që shikojmë ne duke e parë këtë çështje nga të gjitha këndvështrimet dhe nga interesat e të dyja vendeve dhe nga situata globale”, tha ajo.