Krerët e Partisë Demokratike në rrethe janë të ndarë për sa i përket pasojave që do të sjellë riorganizmi i degëve në zgjedhjet e 2017. Procesi i riorganizimit në 15 degët aktuale, që ishte planifikuar të përmbyllej në qershor, nuk ka ndodhur. Po, ndërsa disa degë ende nuk janë stabilizuar zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë çështje muajsh. Kreu i PD ka paralajmëruar edhe protesta masive. 

PD e gatshme

Kryetari i pezulluar, ai i Durrësit, një tjetër degë problematike ku nuk ka përfunduar procesi riorganizimit, Osman Stafa thotë se PD është e gatshme për zgjedhje. Ai thotë se ka një pakënaqësi të fortë ndaj qeverisë Rama, ndërsa shton se PD duhet t’i paraprijë pakënaqësisë së qytetarëve dhe të mbledh njerëzit.

“Pavarësisht nga situata brenda strukturave të PD, ku ka vend ende për të ndryshuar shumë gjëra, baza e PD dhe qytetarët shqiptarë janë pothuajse, prej kohësh në pritje për të ndryshuar një marrëdhënie apo për të prishur një kontratë me qeverinë aktuale. Ky konfirmim vjen nga kontaktet e përditshme me qytetarë dhe me bazën e PD. Nuk është sot alternativ e PD ndryshimi apo prishja e një kontrate të marrëdhënies mes qeverisë dhe qytetarëve shqiptarë, por është një thirrje ulëritëse për të kërkuar urgjentisht ndryshimin e situatës aktuale, ekonomike dhe të rendit. Unë gjej rastin të pamend që shoqëria civile, intelektualët dhe veçanërisht opozita, urgjentisht duhet të risin shkallën e reagimit me qeverinë e sektit Rama”, tha kreu i degës së Durrësit.

Ndërkaq, Stafa bën një dallim brenda demokratëve. Ai thotë se disa individë në PD nuk janë të gatshëm për t’i paraprirë rebelimit të qytetarëve.

“Kur unë them që qytetarët shqiptarë kërkojnë ndryshimin, u referohem qytetarëve që kapërcejnë nivelin e opozitës. E rëndësishme është që ekziston një frymë e fortë nga qytetarët për ndryshimin e qeverisë dhe opozita është e detyruar t’i paraprijë, edhe nëse nuk është e gatshme. Pastaj me gatishmëri duhet të bëjmë një dallim; mund të ketë segmente të caktuara apo individë të caktuar të cilët nuk janë në nivelin e pritshmërisë për t’i paraprirë reagimit të qytetarëve. Por kolona kryesore e opozitës dhe lideri i saj absolutisht janë të gatshëm për ndryshim”, tha Stafa. 

/Sot news /