Zbulohen të tjera detaje nga aksioni i policisë italiane që çoi në prangosjen e 5 skafistëve shqiptarë që u kapën në brigjet e komunës së Fanos nga një gomone që vinte nga Shqipëria dhe mbante 1820 kg marijuanë.
Mediat italiane shkruajnë se sasia e drogës e sekuestruar do të vlente në treg nga 6 deri në 18 milionë euro nëse shitej.
Për Prokurorinë e Pesaros, droga e sekuestruar një natë më parë është ngarkesa më e madhe me lëndë narkotike e kapur deri më tani në këtë territor.
Në konferencën e shtypit të mbajtur gjatë ditës së sotme në Prokurorinë e Pesaros, autoritetet italiane kanë deklaruar se disa nga 5 shtetasit shqiptarë të arrestuar gjatë këtij operacioni janë rezidentë të rregullt prej vitesh në territorin italian, madje dhe biznesmenë të shoqërive të vogla të ndërtimit.
Mësohet se hetimet për veprimtarinë e paligjshme të trafikut të drogës në këtë zonë kishin kanë nisur më vitin 2014.
Kjo pasi në brigjet e këtij territori shpesh janë gjetur pako me lëndë narkotike të dala nga deti të humbura gjatë transportit.
Një tjetër detaj i bërë me dije nga autoritetet policore italiane është edhe fakti se ngarkesa e marijuanës e sekuestruar ishte e mbyllur hermetikisht në pako me celofan e mbi çdo pako është shënuar një shenjë që korrespondon me emrin e qytetit italian ku do të transportohej droga.
Shenja të tilla të orientojnë drejt qyteteve si Bolonja, Verona etj.
Po punohet për të identifikuar bashkëpunëtorët e 5 shqiptarëve dhe deri tani nuk ka as emra të atyre që janë arrestuar.





