Fluksi i mjeteve në të gjitha akset kombëtare dhe nëpër qytete është rritur ndjeshëm, për shkak edhe të kthimit në atdhe të emigrantëve dhe shtimit të numrit të turistëve që zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet.

Për këtë arsye, efektivët e Policisë Rrugore kanë intensifikuar kontrollet për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Sipas Drejtorisë së Policisë Rrugore, gjatë 24 orëve të fundit janë vendosur gjithsej 1.546 masa administrative:

"Duke përdorur Dragerat dhe Radarin, nga shërbimet e Policisë Rrugore janë arrestuar në flagrancë 13 drejtues mjetesh, nga këta 11 të pa pajisur me Leje Drejtimi  dhe 2 drejtues mjetesh në gjendje të dehur.

Janë pezulluar gjithsej 48 Leje Drejtimi, nga këto: 12 për pije alkoolike, 28 për shpejtësi dhe 8 për shkelje semafori e shkelje të tjera të ndryshme.

Janë vendosur  234 masa administrative për mos vendosje rrip sigurimi, 29 masa për mos vendosje të kaskës mbrojtëse, si dhe 76 masa për përdorim celulari, masat e tjera janë për shpejtësi, parakalim të gabuar, etj.

Si dhe janë dërguar në OASH, 59 drejtues mjetesh.

Gjithashtu janë këshilluar drejtues të automjeteve që nuk kanë rezultuar përsëritës për mos vendosje të  rripit të sigurimit, përdorim celulari e shkelje të lehta të Kodit Rrugor" thuhet në njoftim.

Në ditët në vijim, Policia Rrugore në të gjithë vendin, do të vijojë me intensitet punën në dy drejtime, në sensibilizimin e gjithë përdoruesve të rrugës për respektimin e rregullave të Kodit Rrugor si dhe në evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor.