Mes shumë mesazh-dërguesve anonimë në Anabel Facebook, një person me inicialet F. H., nuk mund të mos na bënte përshtypje. Kishte një histori dashurie të shkuar keq. Një jetë të vështirë, një fëmijë që i duhet ta rrisë. Preferoi të mbetej anonim, si shumë të tjerë.
Por më e pazakontë ishte kërkesa e tij: u bën thirrje ‘spiunëve’ të mos përpiqen t’i prishin pazaret. Në fillim duket e çuditshme sesi dikush që merret me tregti të jashtëligjshme të kërkojë publikisht të mos raportohet, a thua se po kërkon t’i kthejnë pronën e marrë pa të drejtë. Por ndoshta ‘spiunët’ nuk kanë qëllim të vënë drejtësinë në vend.
F.H., merret me shpërndarjen e kanabisit që kur ishte adoleshent. Tani, ai vetë e prodhon dhe e tregton, duke qenë krejtësisht i pavarur dhe gjeneron fitime shumë të mëdha. Është fare e qartë se djegia e Lazaratit dy vite më parë, nuk e ka penguar aspak të zhvillojë me sukses veprimtarinë e tij.
Jo vetëm që mban familjen, por ka fitime shumë të majme; tregton deri në 72 kilogram marijuanë në muaj, që shkojnë deri në 50 mijë euro.
‘U bëj thirrje të gjithë spiunëve të na lënë të punojmë të qetë, të investojmë në fushën që duam.’, thotë F. H., ‘Pse duhet të merreni me ne, kur as nuk ju bëjmë keq, as nuk ju shqetësojmë? Duhet të gjithë ta mbështesim njëri-tjetrin. Mos i rrisni fëmijët me urrejtje. Secili ka iluzionet e veta, dhe unë i kam marrë parasysh të gjitha.’
Por nëse fillimisht të krijohet përshtypja se po u bën thirrje atyre spiunëve të mirë, heronjtë e policisë nëpër filma, ai mendon se kjo s’ka të bëjë aspak me drejtësinë; ata thjesht kërkojnë të prishin pazaret e njëri-tjetrit. Konkurrencë e pastër.
‘Ju e shikoni vetë në ç’gjendje është Shqipëria; mjerim dhe skamje e tejskajshme. Kurse ju spiunët jeni të pasur, as që ju bie në mendje për të varfrit. Hidhni një sy më larg kur dilni shëtitje, mos shikoni vetëm hundën tuaj, shikoni në horizont.’
F.H flet me shumë mllef për ‘spiunët’; janë ata që futën në burg babain e tij, shokët e tij, por atij vetë nuk arritën t’i prishnin punë:
‘Gjithçka nisi kur im atë doli nga burgu. E futën spiunët.’, dhe vijon, ‘Ia kam dalë me shumë vështirësi. Shokët e mi i kanë futur në burg, nga spiunët sigurisht. Por me mua nuk ia dolën. Një miku im u vetëflijua, e mori të gjithë fajin përsipër’
Ai është babai i një fëmije, të cilin thotë se e do me gjithë shpirt dhe është gati të bëjë gjithçka për ta parë të rritet mirë:
‘E dua shumë fëmijën tim. Do t’i lejoja gjithçka, vetëm të jetë i lumtur’.
F.H., nuk ka kundërshtime nëse fëmija do të kërkonte të provonte marijuanën:
‘Nëse i pëlqen, pse jo. Sigurisht, vetëm ndonjë teke në darkë, sa për qetësi’
Me të qeshur thotë se femrat nuk i mungojnë, por sipas tij kjo nuk është meritë e parave, por sepse ‘ua di’.
‘Këtu ku punoj unë s’duan t’ia dinë për lekët. Mjafton të dish t’u japësh kënaqësi’.
Ndërsa kur vjen fjala tek dashuria, ai tregon se nuk ka qenë aspak e thjeshtë për të. Edhe pse mund t’ia ofrojë të gjitha kushtet një gruaje, puna që bën ka bërë që t’i largohen, por jo sepse kanë frikë.
‘Femra kërkon vëmendje, kërkon të rrish me të, të flesh me të…gjë që unë nuk mundem sepse jam shumicën e kohës jashtë shtëpisë. I kam mbajtur të dashurat me gjithë të mirat, por mesa duket kjo nuk mjafton’ /Anabel





