Me hyrjen në fuqi të VKM për taksimin e blerjeve online është krijuar një kaos me pakot që vijnë nga jashtë. Opinion.al ka raportuar për radhë të gjata në postën shqiptare, ku qytetarët nuk arrijnë të marrin porositë e tyre. Shkak sipas tyre është bërë një urdhër i Drejtorisë së Doganave. Ne jemi interesuar që prej ditës së djeshme pranë zyrës për mediat në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave por nuk kemi ende asnjë përgjigje. Doganat duhet të shpjegojnë se pse janë bllokuar që në fillim të gushtit të gjitha porositë “blerje online” që kanë mbërritur në Rinas.
Prej disa ditësh posta shqiptare nuk shpërndan pakot e mbërritura nga vende të ndryshme për qytetarët shqiptarë. Për pasojë janë krijuar radhë të gjata dhe stres për qindra persona që shkojnë çdo ditë në postë dhe kthehen duar bosh. Bëhet fjalë për bllokimin e mallrave që qytetarët kanë porositur dhe paguar përmes internetit. Kaosi është shkaktuar pas vendimit të qeverisë të muajit korrik, por që ka hyrë në fuqi më 4 gusht.
Me një urdhër të Drejtorisë së Doganave, Posta Shqiptare nuk duhet të shpërndajë pakot e mbërritura më 4 gusht e në vazhdim pa u taksuar.
“Pakot janë mbajtur për efekt të pagesave të detyrimit doganor të krijuar”,tha një burim konfidencial, duke saktësuar se nuk ka rëndësi data kur është porositur malli, por data kur ka mbërritur porosia në Shqipëri. Kësisoj gjithë pakot e ardhura në muajin Gusht nuk janë shpërndarë ende nga Posta Shqiptare. Opinion.al e ka mësuar lajmin nga burime konfidenciale, në mungesë të një përgjigjeje zyrtare nga Drejtoria e Doganave.
Vendimi i Qeverisë përcakton se taksohen mallrat e blera nëpërmjet porosisë nga interneti, që importohen nëpërmjet dërgesave postare, vlera e të cilave i kalon 22 euro.
Po sipas këtij vendimi për blerjet online mbi 22 euro qytetarët duhet të paguajnë TVSH dhe taksë doganore, ndërsa për dhuratat apo dërgesat që qytetarët marrin nga jashtë taksimi fillon nga kufiri 45 euro. /Opinion.al





