Është e vërtetë se jeta na ndryshon shumë, ose na transformon gjatë viteve. Këtë gjë e dëshmon suedezi Zlatan Ibrahimovic, një futbollist kaq i madh, por figurë e diskutueshme. Si një djalosh i ri, gjatë kohës së tij në Malmoe të Suedisë, Ibra nuk ishte shumë i dhënë pas Premier Ligës dhe futbollit në Angli, sipas deklaratës së tij, në moshën 18-vjeçare: “Futbolli anglez është një m….t,”. Këtë video e ka publikuar së fundmi e përditshmja sportive italiane, “La Gazzetta dello Sport “. Në atë video, Ibrahimovic pretendonte para shokëve të ekipit se kurrë nuk do të shkonte për të luajtur në Angli. Por, nga e thëna në të bërë është në mes një…mal i tërë. Ibrahimovic ka nënshkruar tashmë me Manchester United, klub me të cilin mund të jetë kontrata e tij të fundit e vërtetë profesionale. Ai është nën urdhërat e Jose Mourinho si “djall i kuq”, teksa u ka dhënë të tijve titullin e parë në “Community Shield”. Në këtë video të diskutueshme, Ibra analizon të gjitha ligat e europiane, teksa idealizon Alessandro del Piero, lojtarin legjendar të Juventusit, të cilin e cilëson si “më të mirin”. Ibrahimovic pati shansin të luante dy sezone për Juventus, ndërsa në karrierën e tij ka provuar të veshë fanellat e këtyre skuadrave: Malmoe (Suedi), Ajax (Holandë), Juventus, Inter dhe Milan (Itali), Barcelona (Spanjë), PSG (Francë) dhe Manchester United (Angli).





