Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar sot një video ku sipas tij shihet Klemend Balili, në plazhin e Sarandës, duke bërë xhiro me motor uji. Me anë të një mesazhi në rrjetin social ‘Facebook’ Berisha deklaroi se nën mbrojtjen e ‘Ediskobarit, Eskobari i Ballkanit’ shëtiste sot, nën mbrojtjen e ‘çunave të krimit’.
Nga ana tjetër ai ka pohuar se tre ditë më parë Kelment Balili, i cili është shpallur në kërkim nga Interpoli për trafik droge, ka darkuar me kryeministrin Rama në Dhërmi, vend ku po pushon edhe ky i fundit.
“Nen mbrojtjen e Ediskobarit, Eskobari i Ballkanit shetit sot me motor uji ne Sarande. Çunat e krimit e ruajne dhe i bejne fresk. Thuhet se tre nete me pare darkoi ne Dhermi me Ediskobarin! sb”, citohet në mesazhin e Berishës, i cili e shoqëron me videon ku shfaqen dy persona teksa bëjnë xhiro në det me motor uji.
Ditën e sotme PD tha përmes një deklarate për mediat se në të njëjtin resort ku sipas saj është fotografuar sot Balili, ishte edhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Rebani Jaupaj.





