Pas 3 viteve bashkëpunim ndahen përfundimisht rrugët e James Allison me Ferrarin. Britaniku ka zyrtarizuar largimin e tij nga skuadra italiane nga posti i drejtori teknik nëpërmjet një komunikate ku specifikohet se zëvendësi i tij në këtë rol do të jetë Mattia Binotto, aktualisht përgjegjës i Power Unit te kokëkuqja. Menjëherë pas zyrtarizmit të largimit të James Allison nga Ferrari, shefi i skuadrës Maurizzio Arrivabene, theksoi: ” I gjithë ekipi dëshiron të falenderojë James-in, për impenjimin dhe sakfrificat që ka bërë gjatë kësaj periudhe që kemi kaluar së bashku dhe i uron atij suksese në karrierën e tij të mëtejshme”. Vendimi i James Allison për t'u larguar nga Ferrari vjen në një moment të vështirë për kokëkuqen. Në Hungari skuadra italiane tregoi edhe njëherë tjetër limitet e saj edhe pse i bëri më mirë disa gjëra se në garat e kaluara. Për Ferrarin pritej një sezon pozitiv në të cilin skuadra me qëndër në Maranello mund të sfidonte Mercedesin në garën për titullin por edhe pse ka përfunduar gjysma e kampionatit deri tani Vettel dhe Raikkonen nuk kanë fituar asnjë Cmim të Madh. Allison i cili përpara garës së Australisë humbi bashkëshorten, sipas asaj që nënvizojnë mediat është larguar nga skuadra për t'u qëndruar pranë fëmijëve të tij.