Në drejtimin e duhur, me arritje të prekshme e as që as imagjinohej tre vite më parë. Kështu e ka quajtur kryeministri Edi Rama punën e bërë nga Policia e Shtetit, teksa ka prezantuar projektin e ri të furnizimit me karburant me kartë elektronike të automjeteve të policisë.

Duke ironizuar kohën kur policët detyroheshin të shtynin makinat se i kishte lënë karburanti rrugës, Rama deklaroi se me projektin e ri merr fund korrupsioni dhe turpi që kishte mbuluar këto struktura.

“Policia falë lidershipit, ministrit dhe skuadrës së pritur për të bashkuar teknologjinë me njeriun në polici është një sektor lider në këtë revolucion teknologjik që po përpiqemi të çojmë para në çdo sektor”, tha Rama, duke shtuar se bëhet fjalë për kursimin e 8 milionë litrave karburant dhe 9 milionë dollarë vjedhje e përvitshme.

Sipas Ramës, puna në polici është histori e sigurt suksesi të qëndrueshëm.

“Sa është bërë na del e tepron për të thënë se e kemi shumë të qartë se cfarë mbetet për tu bërë, kemi prova se e dimë shumë mirë punën që na kanë ngarkuar qytetarët. Po të tregonim listën e përparimeve, janë gjëra që para 3 vjetësh as imagjinoheshin, sikur t’ia tregonim njerëzve do na merrnin për romantikë jashtë realitetit, por jemi shumë të vetëdijshëm që të vazhdojmë punën për të rritur kapacitetin moral të policisë së shtetit”- tha ai.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, theksoi se sistemi që po aplikohet merr në kohë reale fotografi me foton e makinës, shoferit, targës dhe sasinë e karburantit të konsumuar. Ministri shtoi se në 3 muaj u kursyen 150 milionë lekë, 100 mijë litra.