Teuta dhe Flamurtari do të përballen në një miqësore mes tyre ditën e shtunë, përballje që do t’u shërbejë stafeve teknike për të vëzhguar gjendjen e ekipeve të tyre, por edhe për të vendosur për grupin e lojtarëve që qëndrojnë.

Vlonjatët nisen në fillim të javës së ardhshme drejt Sllovenisë, dhe Magani duhet të vendosë tashmë për lojtarët që do të largohen, gjë që e ka paralajmëruar vetë. Kjo miqësore do të zhvillohet në Durrës, ku Magani tashmë do të rikthehet si kundërshtar.

Ndërkaq, Teuta, pak nga pak ka nisur të mendojë për sezonin e ri, duke biseduar me lojtarë cilësorë. Katër lojtarë janë afruar deri tani. Pikërisht, mbrojtësi Ergi Borshi, mesfushori Valdrin Rashica dhe sulmuesit Jasmin Raboshta dhe Shpat Ismajli, ndërsa është shumë pranë rinovimit mesfushori Nijaz Lena dhe Shpëtim Moçka.

Fillimisht, për portierin u mendua se do të rikthehej në Laç, por nuk ndodhi kështu. Por, gardiani tjetër Bledjan Rizvani, me rinovimin e kontratës së Moçkës nuk pritet të qëndrojë në Durrës. Rizvani ka oferta nga ekipe të Superligës dhe nga Kategoria e Parë dhe me shumë gjasa do ta vijojë karrierën larg djemve të detit.

Sakaq, nëse Rizvani largohet, gati është pasardhësi i tij. Emri që qarkullon prej kohësh në kampin durrsak është i ish-portierit që luajti me Kastriotin sezonin e fundit, Daniel Lamellari. Me shumë mundësi, 26-vjeçari korçar do konkurojë portierin Moçka për një vend titullari.