Policia italiane ka vënë në pranga një shtetas shqiptar të dënuar me 20 vjet burg e të shpallur në kërkim prej disa vitesh. Bëhet fjalë për shtetasin Altin Tola, lindur në Durrës më 6/8/1965, i kërkuar që prej vitit 2012 nga drejtësia italiane e shqiptare. Mbi të rëndon dënimi me 20 vite e 15 ditë burg me akuzën e pjesëmarrjes në aktivitet mafioz, trafik ndërkombëtar armësh, prodhim e trafikim lëndësh narkotike e krime të ndryshme të kryera në qytetin e Milanos dhe në Tiranë.
Arrestimi i tij u bë i mundur gjatë një kontrolli rutinë në një lokal në qytetin e Imperias, në rajonin e Ligurias, ku momentin e ndalimit nga policia italiane, Tola ishte fshehur në një nga banjot e lokalit, ku po ushtrohej kontroll i forcave të rendit duke deklaruar identitet të rremë.
Në banesën ku jetonte shqiptari policia italiane ka gjetur pasaportën e babait të tij, fakt që ka çuar në zbulimin e identitetit të vërtetë të shqiptarit.
Policia italiane informon se po heton mbi personat që kanë ndihmuar në strehimin e fshehjen që prej 2012 të shqiptarit të dënuar me 20 vjet e 15 ditë burg.





