Dy shtetas italianë kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore një 32-vjeçar shqiptar në ishullin e Rodosit. Arsyeja? Gjithçka ka ndodhur për prishje pazari për një motoçikletë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur të dielën, kur sipas mediave greke, shqiptari është mbajtur i lidhur nga një italian 40-vjeçar dhe nipi i tij 29-vjeçar.

Shqiptari kishte marrë vesh se italiani kishte mbërritur nga Athina në Rodos, ndaj e ftoi në dyqanin e tij që të sqaronin një mosmarrëveshje. Shqiptari i kishte shitur 40-vjeçarit italian, një motoçikletë. Ky i fundit ka ndërruar mendje dhe i ka kërkuar shqiptarit kthimin e parave që kishte shpenzuar për blerjen e motoçikletës dhe riparimin e tij.

Sipas asaj që ka dëshmuar shqiptari para policisë, bëhej fjalë për një shumë prej 250 eurosh, që sipas viktimës, autori e kërkonte me ngulm pasi i duheshin para për të paguar disa doza kokainë.

Po sipas dëshmisë së shqiptarit, ata e lidhën në një karrige elektrike dhe e goditën me thika dhe e kërcënuan me sëpatë.