Eurokomisioni Johannes Hahn ka konfirmuar sot nëpërmjet një telefonate me kreun e Kuvendit se pas miratimit të reformës në drejtësi, Shqipëria ndodhet në rrugën e anëtarësimit në BE.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi një bisedë telefonike me Komisionerin e BE për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

Gjate kësaj bisede telefonike mes Komisionerit Hahn dhe Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta i cili ndodhet ne Filadelfia, z. Hahn shprehu përgëzimet e tij për arritjen e konsensusit dhe miratimin me unanimitet të reformës në drejtësi.

Kryetari i Kuvendit Meta shprehu mirënjohjen për të gjithë forcat politike parlamentare dhe BE dhe veçanërisht ndaj Komisionerit Hahn për ndërhyrjen e tij të vendosur për përmbylljen me konsensus të plotë dhe me sukses të kësaj reforme madhore.

“Pas miratimit të saj me konsensus, implementimi i saj është më i sigurt, por edhe ecuria e mëtejshme e integrimit evropian është më e sigurt dhe më e qartë”, theksoi z. Meta.

Nga ana e Tij, z. Hahn falënderoi Z. Meta për përpjekjet e tij të vendosura për konsensus dhe shprehu bindjen se tashmë Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe në një rrugë më të qëndrueshme drejt BE-së.

Z. Meta garantoi z. Hahn se do të vazhdojë përpjekjet e tij të vendosura për fillimin e zbatimit sa më parë të reformës në drejtësi.

Kryetari i Kuvendit theksoi se konsensusi i arritur nuk duhet të jetë momental, por të shërbejë si shembull për forcimin e dialogut politik dhe thellimin e të gjitha reformave në të gjitha fushat.