Në një njoftim për shtyp, policia e Durrësit ka reaguar pasditen e sotme lidhur me videon e bërë publike në rrjetet sociale, për një ngjarje të ndodhur në Gjirin e Lalëzit gjatë ditës së dielë.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur më datë 24.07.2016, në plazhin e Gjirit të Lalëzit dhe të dy personat që shfaqen në video kanë qenë nën efektin e alkoolit.
Pas marrjes së njoftimit lidhur më ngjarjen, efektivë të rendit kanë shkuar në vendngjarje dhe pavarësisht kundërshtimeve dhe mosbindjes së dy personave që shfaqen në video, ata janë shoqëruar në komisariat.
Pas hetimeve lidhur me çështjen në fjalë, policia ka nisur ndjekjen penale në gjendje të lirë ndaj shtetasit I.Z. 26 vjeç, banues në Maminas.
Sipas policisë, “shtetasi në fjalë dyshohet se tek Gjiri i Lalëzit ka prishur qetësinë publike dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë të rendit publik, vepra penale të parashikuara në nenet 274 dhe 242 të Kodit Penal”.
Ndërkohë policia deklaron se vajza që shfaqet në video nuk ka bërë kallëzim penal ndaj 26 vjeçarit.
Njoftimi i policisë së Durrësit
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, e cila bën fjalë për një ngjarje të ndodhur në"Gjirin e Lalëzit", ju bëjmë me dije se:
Ngjarja ka ndodhur më datë 24.07.2016, në"Gjirin e Lalëzit".
Të dy shtetasit e paraqitur në video kanë qenë nën efektin e alkoolit.
Policia e Qarkut Durrës me të marrë njoftimin ka shkuar menjëherë në vendngjarje.
Përpos kundërshtimeve dhe mosbindjes ndaj urdhrit të Punonjësve të Policisë për ti shoqëruar në ambientet e Policisë është bërë e mundur shoqërimi I dy shtetasve të shfaqur në video.
Në vijim të hetimeve bazuar edhe më deklarimet e shtetasve të shoqëruar është proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasi I.Z. 26 vjeç, banues në Maminas.
Shtetasi i mësipërm dyshohet se, tek “Gjiri i Lalëzit”, ka prishur qetësinë publike dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë të rendit publik, vepra penale të parashikuara në nenet 274 dhe 242 të Kodit Penal.
Shtetases së seksit femër i është bërë e ditur që në bazë të ligjit ka të drejtë të bëjë kallëzim në ngarkim të shtetasit I.Z. por me vullnet të lirë nuk ka dëshiruar.





