Policia e Tiranës ka dhënë detaje rreth ngjarjes që ndodhi paraditen e sotme rreth orës 11:00 në spitalin Amerikan në kryeqytet, ku një pacient vuri flakën brenda ambienteve të spitalit.
Sipas policisë, autori i kësaj ngjarjeje është shtetasi Lefter C., 57 vjeç, i cili ka tentuar të djegë një pacient tjetër, por si pasojë e asfiksisë ka ndërruar jetë një paciente.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet policore dhe zjarrfikëset të cilët bënë të mundur fikjen e zjarrit dhe nxorën jashtë godinës pacientët që ndodheshin brenda.
“Nga veprimet paraprake te grupit hetimor i cili ndodhet në vendin e ngjarjes, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar me dashje nga pacienti i identifikuar si Lefter C., 57 vjeç.
Dyshohet se ka lindur një konflikt midis dy shtetasve Lefter C. dhe shtetasit D. Saraçi, 47 vjeç.
Shtetasi Lefter C., pasi ka mbaruar dializën ka shkuar në dhomën e shtetasit D.S., ka nxjerrë nga qesja një bidon dhe dyshohet të ketë spërkatur me benzinë shtetasin D.S. dhe më pas i ka vënë zjarrin.
Me ndërhyrjen e infermierëve është bërë e mundur shuarja e zjarrit mbi autorin e dyshuar dhe të dëmtuarin.
Shtetasi D. Saraçi ka qenë i shtruar dhe merrte mjekim, dhe në të njëjtën dhomë me të ka qenë duke marrë mjekim dhe pacientja Sanie Sulaj, 55 vjeçe nga Mamurrasi, e cila ka gjetur vdekjen si pasojë e asfiksisë”, sqaron policia.
Aktualisht D. Saraçi ndodhet i shtruar në sallën e reanimacionit pranë spitalit Ushtarak, kurse autori i dyshuar ndodhet në spitalin Amerikan 2.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.





