Gjyqtarja Majlinda Andrea, e përfshirë në skandalin e korrupsionit 50 mijë eurosh në Gjykatën e Lartë, ka qenë pjesë e treshes gjykuese, që në vitin 2003, vendosi t’i heqë pronësinë mbi ish-hotel “Vollgës” kompanisë arabe “Saudi Brothers Commercial Company” dhe t’ia japë këtë pronësi shtetasit Zanmir Hasa, i cili pretendon se është trashëgimtari i Alie Fortuzit.
Ky vendim i dhënë më 13 mars 2003 nga treshja gjykuese Flora Hysi, Luljeta Topalli dhe Majlinda Andrea, shënon dhe nisjen e konfliktit të tejzgjatur të gjyqeve mes kompanisë arabe “Saudi Brothers Commercial Company” dhe shtetasit Zanmir Hasa. Tashmë konflikti mes këtyre dy subjekteve është duke u hetuar nga Prokuroria e Durrësit dhe ajo e Krimeve të Rënda, për shkak të një serie veprimesh dhe vendimesh të paligjshme.
Vendimi i 2003-shit ka shumë gjasa që të jetë dhënë duke u ndikuar nga korrupsioni, kjo pasi treshja gjykuese, ku ka qenë pjesë dhe gjyqtarja Majlinda Andrea, ka vendosur të nxjerrë të pavlefshme kontratën e shit-blerjes të kryer mes kompanisë “Saudi Brothers Commercial Company” dhe shtetasit Agim Sula, i cili ka qenë nipi i trashëgimtares së vetme të kësaj prone Alie Fortuzi.
Mirëpo, pas vdekjes së saj, Zanmir Hasa, njeriu që dikur punonte si kopshtar në shtëpinë e Fortuzit në Selanik dhe që më pas adoptohet prej të moshuarës si “fëmijë”, vjen në Shqipëri dhe hap proces gjyqësor kundër kompanisë arabe, e cila e kishte blerë pronën kundrejt 800 mijë eurove.
Çuditërisht, trupi gjykues ku bënte pjesë dhe Majlinda Andrea, zhvillon një gjyq pa prezencën e të paditurve Abdullah Baëazeer dhe Agim Sula, duke vendosur të nxjerrë të pavlefshëm kontratën e shit-blerjes të vitit 1997 dhe t’ia japë ish-hotel Vollgën shtetasit Zanmir Hasa. /Shqiptarja.com





