Teuta ka nisur të lëvizë në merkato. Pritet që me rinisjen e përgatitjeve ditën e hënë, prurje të reja të vihen nën urdhrat e trajnerit Julian Ahmataj. Drejtuesit po tregohen të kujdesshëm, ndaj emrat mbeten ende enigmë, megjithatë zbulohet se disa lojtarë do të zbarkojnë në Durrës më 25 korrik. Do të ketë shqiptarë, por edhe të huaj, ndërkohë e paqartë mbetet vetëm nëse do të jenë në provë, apo do të konfirmohen menjëherë si blerje. Pritet që ditët e fundit të kësaj jave, por edhe fillimi i javës së re të jenë përcaktuese për rinovimet. Deri më tani mund të thuhet me siguri se për portën po llogaritet i njëjti “gardian”. Shpëtim Moçkës do i ofrohet nënshkrimi i kontratës së re. Me mbylljen e sezonit, vlonjatit i skadoi kontrata e huazimit nga Laçi, por performanca e tij e mirë e mban atë në krye të planeve edhe për kampionatin që starton në shtator. Nëse për Moçkën kreditet e qëndrimit janë madhore, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Nijaz Lenën. Mesfushori nga Struga nuk e ka të garantuar të ardhmen në Durrës. Gjithçka do të vendoset pasi ai të flasë me drejtuesit. Në rast se këta të fundit do e kenë në plane, atëherë numri 10 i mesit të fushës mund të ulet për të negociuar për zgjatje kontrate, në të kundërt do të jetë gati për të nisur një aventurë të re.Tjetër rinovim do të jetë ai i Bledar Hodos, i cili është një lider i kësaj skuadre. Mesfushori është pjesë e Teutës për më shumë se një dekadë. Edhe pse ka lëvizur në disa ekipe, përsëri “shtëpia” e tij mbetet Teuta. Në të njëjta kushte është edhe Bledian Rizvani, megjithatë situata e tij mbetet për t’u parë. E hëna do të përkojë me zyrtarizmin edhe të Ergi Borshit, i cili ka arritur akordin dhe pritet që këto ditë të nënshkruajë edhe kontratën.