Kreu i Departamentit të Rendit e Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj, ka denoncuar largimin sipas tij të 7 oficerëve të Policisë së Tiranës, sepse kishin ndaluar kunatin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Alibeaj tha se efektivet nuk ishin se “personi që po ndalonin ishte kunati i ministrit, se përndryshe nuk do e kalonin vijën e kuqe”.
Sipas tij, nuk u mor asnjë masë për ngjarjen e një muaji më parë, “ku një biznesmen denoncoi dhunën e ushtruar ndaj tij dhe ndaj djalit të tij, nga policia në qendër të Tiranës”.
E ndërkohë pas akuzave të PD ka reaguar Policia e Shtetit ku nëpërmjet një njoftimi zyrtar, mohon pretendimet e opozitës.
“Referuar deklaratës së subjektit politik PD lidhur me shkarkimin e 7 punonjësve të policisë, Policia e Shtetit bën me dije se ky fakt është tërësisht i pavërtetë.
Në asnjërën prej ngjarjeve të cituara në deklaratë, nuk është shkarkuar asnjë punonjës policie, ndaj pretendimet dhe akuzat e bëra publike, janë thjesht fakte të pavërteta.
Siç parashikon kuadri ligjor, për të dyja rastet është kryer procedura ligjore e verifikimit të përgjegjësive, procedurë standard që ndodh sa herë që një qytetar ka ankesë për veprimet e policisë.
Policia e Shtetit thekson edhe njëherë përkushtimin maksimal ndaj detyrës dhe ligjit për të zbatuar ligjin ndaj çdo individi”, thuhet në reagimin e policisë.





