Shqiptarja Armela Segashi, është një ndër viktimat që kanë humbur jetën dje në Mynih të Gjermanisë, ku një person i armatosur hapi zjarr duke vrarë 9 persona.

Lajmi për këtë ngjarje tragjike është konfirmuar nga vëllai i viktimës, i cili shkruan në “Facebook” se fatkeqësisht motra e tij ndërroi jetë.

Deri para pak orësh, Armela Segashi rezultonte e zhdukur, pasi mamaja e saj në një prononcim, ishte shprehur se policia gjermane nuk i kishte konfirmuar emrin e vajzës së saj në mesin e viktimave.

Dje humbi jetën edhe një tjetër vajzë shqiptare nga ky sulm me armë në qendrën tregtare në Mynih. Mediat e Kosovës njoftojnë se viktimë ka mbetur Sabina Sulaj, e cila ishte nën shoqërinë e Segashit në momentin kur ndodhi sulmi.