Pas miratimit nga ana e parlamentit të projektvendimit për ndërtimin e një porti të ri në Kavajë kanë reaguar menjëherë peshkatarët e Durrësit. Kreu i sindikatës së peshkimit në Durrës, Klodian Kapiti përshëndeti vendimin për ndërtimin e portit, por kërkoi që qeveria dhe Ministria e Ekonomisë në mënyrë urgjente të gjejë një zgjidhje për ndërtimin e një kantieri për riparimin e anijeve.
30 anije peshkimi, nga 60 deri në 200 ton, po ndryshken në ujë, për shkak të mungesës së kantierit detar. Anijet duhet të riparohen, por nuk ka kantier për riparimin e tyre.
“Janë 30 anije peshkimi që qëndrojnë të lidhura në mol në rrezik mbytje. Pronarët e tyre i kanë blerë me kredi dhe kanë shpenzuar, miliona lekë, por anijet rrezikojnë mbytjen, se pse nuk ka kantier për riparimin e tyre. I vetmi që ka qenë funksional u shkri nga Kurumi në vitin 2010 e që prej asaj kohe e vetmja mndësi është të shkojnë jashtë shtetit në portet greke dhe italiane, që operojnë me çmime disa herë më të larta, të papërballueshme për armatorët durrsakë”,- thotë Kapiti.
Në të njëjtën kohë, Kapiti nënvizon se në Pashaliman funksionon një kantier për ngritjen e anijeve mbi 60 ton, por çmimet aty janë si në Danimarkë.
“Në Pashaliman kantieri është në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Aty riparohen anijet ushtarake dhe operohet me çmime njësoj si në Danimarkë, sepse kanë qenë specialistët danezë që i kanë përcaktuar çmimet. Armatorët e peshkimit e kanë të pamundur të përballojnë këto çmime”,-tha Kapiti.
K.H.





