Infrastruktura e një qyteze me më pak se 10 mijë banorë është përshtatur me nevojat e kompanisë së Facebook, sepse ky i fundit ka ndërtuar aty bazën e parë të të dhënave, ku mbledh fotot e statuset tuaja duke bërë që edhe vendasit të gëzojnë internet tepër të shpejtë.
Qyteza Prineville, në Oregon të SHBA-ve, është vendi ku Facebook ndërtoi qendrën e parë të të dhënave. Bëhet fjalë për ndërtesën me kompjuterë "server", ku mblidhen fotot që hidhni në Facebook. Me këtë sallë lidhet që nga larg kompjuteri apo celulari juaj kur i shihni fotot.
Kur e hapi këtë qendër, Mark Zuckerberg mbase nuk e ka ditur që pas disa vitesh do t'i duhej të hapte disa të tjera nëpër Amerikë dhe nëpër botë, deri në Suedi. Sot, Facebook duhet të përballojë fluksin e 1.66 miliardë përdoruesve aktivë, pa përfshirë faqet "e fjetura".
Kjo qendër ka rreth 136 punonjës dhe ka shërbyer si model për të gjitha qendrat e tjera. Ajo është gjithashtu vendi ku Facebook teston çdo aplikacion të ri, duke vënë në punë dhjetëra celularë njëherësh.
Kjo zonë ndodhet në shkretëtirë, ku temperatura në verë është shumë e lartë gjatë ditës, ndërsa gjatë natës ulen. Për te ftohur ajrin që fut në dhomën e serverëve Facebook përdor ujë,. Nëse ajri është shumë i ftohtë, e ngrohin me nxehtësinë që prodhojnë vetë kompjuterët.





