Një djalë dhe dy vajza të apasionuar pas modelingut kanë ëndërruar veten e tyre në pasarelat ndërkombëtare të modës, pas nënshkrimit të një kontrate me producenten e një konkursi bukurie në Shqipëri.

Me premtimin e producentes Denada Sadedini, se do të promovoheshin në Kinë apo Turqi, ata i kanë dhënë asaj shuma parash, që shkonin deri në 2500 euro për person. Me kalimin e kohës, të rinjtë, jo vetëm që nuk kanë marrë shërbimin për të cilin kishin paguar, por as nuk u është kthyer pas pagesa e kryer. Përpjekja e tyre për të kontaktuar me menaxheren e “Miss”- eve, Sadedini, ka dështuar pasi janë përballur me telefonin e saj të fikur dhe me refuzimin e saj për t’u takuar.

Përmes së njëjtës skemë është mashtruar edhe një tjetër pjesëmarrës i konkursit të bukurisë së organizuar nga Sadedini, i cili i ka dhënë asaj para në këmbim të futjes në një universitet privat, që u mbyll më pas. Hetimi i nisur pas kallëzimit të të rinjve u përmbyll në mars 2016 me dërgimin e Sadedinit si e pandehur në Gjykatë për veprën penale të “mashtrimit”, shkruan “Panorama”.

Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës përfundoi gjykimin ndaj saj, duke e shpallur fajtore për akuzën dhe dënuar me 2 vjet heqje lirie. Gjatë gjykimit e pandehura ka treguar pendesë para Gjykatës. Mësohet se e pandehura Sadedini i ka bërë ankim këtij vendimi në Gjykatën e Apelit Tiranë.