Sipas prokurorëve francezë, terroristi që organizoi sulmin në Nicë në Ditën e Bastijes e kishte planifikuar atë me detaje muaj më parë, madje kishte mbi një vit që kishte menduar mënyrën sesi do të trondiste Francën dhe të shkaktonte sa më shumë viktima.

Në kompjuterin personal dhe në telefonin e tij celular, që janë sekuestruar nga policia, janë zbuluar detaje të reja, mes tyre foto dhe video të realizuara nga Bouhlel në Ditën e Bastijës një vit më parë. Këto prova të reja i kanë bërë prokurorët të besojnë se sulmi është menduar gjatë, ndoshta pas atij në redaksinë e revistës satirike “Charlie hebdo” në Paris në muajin janar.

Nga tabulatet telefonike por edhe nga kompjuteri personal, prokurorët kanë zbuluar se Bouhlel ka kërkuar muajt e fundit informacion për amfetaminë të tipit drogë Captagon, një lloj substance që përdoret nga xhihadistët për të reduktuar frikën dhe tensionin. 

Në mesazhet në “Facebook”, terroristi iu shpjegon bashkëpunëtorëve sesi do ta mbushë kamionin me fishekzjarrë dhe armë e më pas do të shtypë njerëzit, këdo që t’i dalë përpara. Edhe në telefonin e 31-vjeçarit janë gjetur edhe foto me çiftin shqiptar, por edhe me bashkëpunëtorë të tjerë.

Një çift shqiptarësh, 2 franko-tunizianë dhe një tunizian janë akuzuar nga gjykata kundër terrorizmit si bashkëpunëtorë të Mohamed Lahouaiej-Bouhlel.