Pas aventurës së shkurtër në Ligën e Europës dhe 10 ditëve pushim, sot pasdite Teuta do t’u rikthehet përgatitjeve. Lojtarët, të cilët nuk kanë rinovuar ende, pritet të hedhin firmën në letër dhe për një tjetër sezon.

Është ky plani fillestar i drejtuesve durrsakë që të ruajnë boshtin e skuadrës. Sipas të gjitha gjasave, portierët Moçka e Rizvani do të rikonfirmohen. Nga ana tjetër, edhe mbrojtësit E.Hoxha, Kotobelli dhe Shkalla do të vazhdojnë të jenë pjesë e “djemve të detit”.

I sigurt është edhe qëndrimi i mesfushorit Bledar Hodo, ndërsa dilema ka për Nijaz Lenën. Ky i fundit është pa kontratë zyrtarisht, megjithatë pak ditë më parë për gazetën ka deklaruar se do të bisedojë fillimisht me presidentin Hasanbelliu dhe më pas, do të vendosë për të ardhmen.

Një pjesë e mirë e ekipit ka kontrata afatgjata, ndërkohë që klubi po shikon për të afruar lojtarë të tjerë, duke kompletuar skuadrën në të gjitha repartet. Rrustem Hoxha ishte i pari që rinovoi kontratën edhe për një sezon me “djemtë e detit”, ndërsa nga sot është radha e të tjerëve.

Pritet që Teuta të pësojë ndryshme të vogla krahasuar me paraqitjet europiane, por kjo nuk do të thotë që s’do të ketë merkato. Ishte vetë presidenti Hasanbelliu, i cili zbuloi se do të kishte lëvizje prej datës 21 korrik. Objektivi edhe për sezonin e ri do të jetë pjesëmarrja në Kupat e Europës.

Gjithsesi nga klubi, përveç tratativave që janë konfirmuar me shkodranin Ergi Borshi, nuk ka ende emra të tjerë që kanë dalë në skenë.