Prej një muaji, një adoleshente 15 vjeçe nga Durrësi ishte larguar nga shtëpia për të qëndruar me të dashurin e saj në pavarësi të plotë.
Adoleshentja me iniciale E.S., banuese dhe nxënëse e një shkolle 9-vjeçare në qytetin e Durrësit, fiks një muaj më parë, më 22 qershor, u largua nga shtëpia pa lënë gjurmë.
Pasi konstatuan se e bija nuk ndodhej në shtëpi, prindërit e alarmuar bënë denoncimin në policinë e Durrësit dhe më pas efektivët filluan punën për gjetjen e saj.
Vetëm pas një muaji, vajza gjendet nën shoqërinë e të dashurit. Para uniformave blu ajo ka deklaruar se është larguar me dëshirën e saj të plotë nga banesa.
Burimet nga policia thonë se gjatë gjithë kësaj kohe, adoleshentja kishte qëndruar në Kosovë me të dashurin, i cili po ashtu është nxënës i shkollës ku studionte vajza.
Mësohet se kjo nuk është hera e parë që ajo largohet nga banesa, pasi edhe më parë e ka kryer një veprim të tillë. Ajo u ka thënë familjarëve të saj se e do të dashurin dhe do të kalojë jetën me të.
S.L.





