Goditja e vapës është një ndjenjë e papritur dhe e shpeshtë në verë, kur disa kushte klimaterike bëhen bashkë dhe sjellin simptoma të nxehjes së trupit tej normales. Faktorët që e shkaktojnë janë temperaturat e larta, lagështia e ajrit që varion nga  60- 70 % dhe mungesa e ajrosjes së ajrit. Në këto raste mund të paraqiten shqetësime, por që nuk duhet të ngatërrohen me goditjen nga dielli që vjen si pasojë e ekspozimit të gjatë nën rrezet e forta diellore. Simptomat janë shpesh të ngjashme dhe ja përse këto dy lloje reagimi të organizmit shpesh ngatërrohen.

Cilat janë simptomat e goditjes nga nxehtësia? 

Goditja nga nxehtësia është një rritje e papritur e temperaturës trupore, shkaqet e së cilës janë ambientale. Simptomat tipike të këtij reagimi janë lëkura e nxehtë dhe jo e hidratuar, mungesa e djersitjes si dhe rritja e temperaturës së trupit, me të njëjtat simptoma që paraqiten edhe tek goditja nga dielli si: ethe dhe dhembje koke. Ndosh në fakt në disa raste, që mekanizmat që rregullojnë temperaturën trupore të mos funksionojnë siç duhet, sepse lagështia statike pengon për shembull djersitjen, që ndihmon në freskimin e trupit. Është një shqetësim tipik veror, që shkaktohet nga temperaturat dhe lagështia, por ka ilaçe që e zgjidhin këtë situatë.

Goditje nga nxehtësia? Ja disa metoda për të marrë veten:

Mënyrat më të mira për të marrë veten nga goditjet e vapës janë sigurisht ato që ftohin trupin. Në rastet më të rënda, duhet të fusni personin e prekur në një vaskë me ujë të ftohtë, ose të lagni një pecetë me ujë të ftohtë dhe t’i bëni kompresa. Personi i prekur nga goditja e vapës duhet të qëndrojë në një ambient të freskët e të ventiluar, me këmbët e ngritura lart për të favorizuar kështu qarkullimin e gjakut. Është e rëndësishme që pas kësaj goditje të pini menjëherë ujë të freskët. Faktorë stresues në këtë situatë mund të jenë edhe veshjet  e ngushta ose të rënda, kështu që është mirë ta lironi personin e goditur nga një krizë nxehtësie nga ato.  Një gjë tjetër që duhet të bëni është të merrni sasi kripërash minerale nëpërmjet lëngjeve të frutave apo vitaminave shtesë.  Mund të konsumoni frutat e stinës si pjeprin apo shalqirin për shembull, që  janë të pasur në lëngje, vitamina dhe kripëra minerale.

Çfarë të bëjmë për të evituar goditjet nga vapa?

Më të predispozuarit për t’u prekur nga goditjet e nxehtësisë janë fëmijët, të moshuarit dhe personat mbipeshë.  Për të evituar shqetësimet që vijnë si pasojë e goditjeve nga vapa filloni me një ushqim të pasur me vitamina dhe kripëra minerale, hani vakte jo shumë të rënda dhe të larmishme. Hidratoni mirë organizmin duke pirë shumë ujë dhe duke ngrënë fruta e perime. Evitoni sforcimet e shumta kur bën vapë. Ata që meren me sport duhet ta ushtrojnë aktivitetin fizik herët në mëngjes ose në perëndim të diellit, duke shmangur kështu stërvitjen në orët e pikut. Për sa i përket fëmijëve, duhet pak më shumë kujdes.  Sigurohuni që të pijnë shumë ujë, të hanë fruta e perime dhe të mos pijnë lëngje të gazuara.

Për të rriturit: Mos ekzagjeroni me kafenë dhe reduktoni sasinë e alkolit që konsumoni. Për të mbajtur të freskët shtëpinë ndizni kondicionerin ose freskuesen.