“Pulat e zogjtë e freskët të fshatit të gjithë duan t’i konsumojnë në tavolinat e tyre, por fshatarët asnjë nuk i do në qytet. Ne nuk na e gjejnë një vend që si të gjithë tregtarët e vegjël të tregtojmë brenda rregullave”, shprehen tregtarët e shpendëve në Durrës.
Mbi 20 tregtarë të shpendëve enden sa në një trotuar në tjetrin, sepse nuk kanë asnjë vend të përcaktuar nga bashkia e qytetit për tregtimin e shpendëve të tyre të gjalla. Ata kërkojnë që të ushtrojnë tregtinë brenda ligjit, dhe të mos sulmohen nga organet tatimore.
“Nuk kam shitur asnjë pulë sot. Nëse e shes, blej një bukë e një bidon qumësht. Problemi është se nuk na lënë ku të tregtojmë. Nuk na gjejnë një vend të përshtatshëm. Ashtu si të gjithë tregtarët edhe ne duhet të jemi brenda ligjit, por nuk na e gjejnë një vend”, thotë një prej tyre.
“Kemi shkuar te Vangjush Dako, na thotë mos tregtoni mbi trotuar. Ne i kemi thënë na gjej një vend ku të tregtojmë sepse kudo ku shkojmë nuk na lënë të shesim. Vend nuk na ka gjetur ende”, thotë një tjetër.
K.H.





